Dje ia shkatërruan, sot i rikthen: Rama vendos sërish karriget e dialogut, por paralajmëron protestuesit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vendosur sërish karriget para godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjen për dialog me protestuesit, pas refuzimit të kësaj nisme gjatë ditës së djeshme.
Më 20 tetor, protestuesit dhe studentët përmbysën, thyen dhe hodhën karriget e vendosura nga Rama si ftesë simbolike për dialog. Ata e refuzuan nismën me thirrjet “S’ka dialog, jep dorëheqjen”, duke kërkuar largimin e kryeministrit.
Por Rama e ka përsëritur ftesën edhe sot, duke thënë se pakënaqësitë dhe problemet nuk mund të jenë arsye për dhunë, ndërsa ka bërë thirrje që kërkesat të shtrohen përmes komunikimit.
Si nisi gjithçka?
16.10 · 08:20
Rama del sërish në Bulevard: Kjo flamë s’është e studentëve, është dora e opozitës që ka marrë peng qytetin me maska
16.10 · 17:17
Protestat studentore në Shqipëri kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama
“Ka një mijë e një pakënaqësi, një mijë e një halle, një mijë e një probleme, mund të ketë edhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën”, ka deklaruar Rama.
Ai ka thënë se e drejta për të protestuar është e pamohueshme, por e ka cilësuar dhunën si vepër që duhet të ndëshkohet. Sipas tij, edhe pas asaj që ndodhi një ditë më parë, dialogu mbetet i hapur.
“Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri”, ka thënë Rama, duke shtuar se dora e tij mbetet e shtrirë edhe për ata që kanë qëndrime të ndryshme nga të tijat.
Kryeministri ka paralajmëruar gjithashtu masa ligjore dhe financiare ndaj personave që dëmtojnë pronën publike apo private. Ai u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga dhuna, duke theksuar se kërkesat për ndryshim duhet të adresohen përmes punës dhe dialogut.
E ka thënë edhe më parë
15.08.2026
Edi Rama
Kryeministri i Shqipërisë
„Protestat e sotme nuk janë protestat e qershorit, kështu që njerëzit që folën sot janë të ndryshëm. Ata janë të angazhuar në parti politike.“
“Çdo dhunues do të marrë përgjigje. Përgjigja do të jetë konstante, ligjore dhe financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët dhe pasurinë e tjetrit do të paguajë”, ka deklaruar Rama.
Protestat në Tiranë janë shoqëruar me përplasje dhe dëmtime të pronës, ndërsa krahas pakënaqësive të shprehura nga protestuesit, kërkesa për dorëheqjen e Ramës është bërë një nga mesazhet kryesore të demonstratave.
Vendosja e përsëritur e karrigeve para Kryeministrisë e rikthen në qendër të debatit ofertën e Ramës për dialog dhe refuzimin e saj nga protestuesit, të cilët kanë këmbëngulur në kërkesën për largimin e tij nga detyra.