Hetimet Rajonale në Prizren kanë zhvilluar sot një aksion në kuadër të hetimeve për shpërthimin e ndodhur në qershor, në afërsi të shtëpisë së avokatit Betim Kadolli, rast që kishte ngritur shumë pikëpyetje për motivin dhe autorët.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se operacioni lidhet drejtpërdrejt me këtë rast, ndërsa disa persona janë arrestuar gjatë veprimeve të sotme hetimore.

Shpërthimi kishte ndodhur më 16 qershor në Prizren. Në atë kohë ishte raportuar se një mjet shpërthyes kishte rënë në pronën e fqinjit të Kadollit, në kufi me parcelën e tij, ndërsa si pasojë ishte dëmtuar edhe vetura e avokatit. Vetë Kadolli kishte deklaruar se nuk kishte pasur kërcënime dhe se nuk mund të thoshte se kishte qenë cak i sulmit.

Që nga ajo kohë, hetuesit kanë vazhduar me grumbullimin dhe analizimin e provave për identifikimin e personave që mund të kenë lidhje me shpërthimin.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, aksioni i sotëm është rezultat i këtyre hetimeve, ndërsa personat e arrestuar po trajtohen në kuadër të procedurave për zbardhjen e plotë të rastit.

Për momentin nuk ka ende të dhëna të plota për numrin përfundimtar të të arrestuarve, rolin e secilit apo motivin që dyshohet se qëndron pas shpërthimit.

Hetimet po vazhdojnë, ndërsa Sinjali do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet e reja.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume