Miliarderi amerikan, shef ekzekutiv i SpaceX, Elon Musk ka lëshuar disa akuza të rënda në drejtim të elitave të Ukrainës, duke thënë se ata janë pasuruar jashtë mase me miliardat e dollarëve që kanë vërshuar drjet vendit si ndihmë për luftën.

Në një postim në rrjetet sociale që ka ngjallur jo pak reagime, Musk thotë se në kontrast me këto elita, të rinjtë ukrainas rekrutohen me forcë “për të vdekur nëpër llogore”.

“Ajo që po ndodh në të vërtetë në Ukrainë është se ekziston një dallim i madh në stimujt që kanë elitat krahasuar me popullin.

Të parët janë pasuruar jashtë mase falë qindra miliarda dollarëve që kanë vërshuar drejt Ukrainës, ndërsa fëmijët e popullit po rekrutohen me forcë për të vdekur nëpër llogore”, shkruan Musk.

Musk, i cili u akuzua se i kishte limituar shpejtësinë e interentit Ukrainës përmes kompanisë së tij “Starlink”, ka vijuar më tej duke thënë se një pjesë e këtyre parave pastrohen me mekanizma të ndryshëm dhe përdoren për të lobuar politikanë në SHBA.

“Dhe një pjesë e këtyre parave të taksapaguesve amerikanë kthehet mbrapsht, duke kaluar përmes mekanizmave të ndryshëm të pastrimit të parave, për të financuar fushata politike në Amerikë; kjo është arsyeja pse shihni politikanë që shqetësohen më shumë për Ukrainën sesa për Amerikën”, është shprehur ai.

Komenti i Musk në rrjetin social “X”, ka ngjallur jo pak reagime ndër ata që e mbështesin po edhe nga ata të cilët e akuzojnë se po i shërben propagandës së Kremlinit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume