Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kërkoi dorëheqjen e guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, si dhe hetim nga Prokuroria për mënyrën se si Alta Bankës iu lejua hyrja në tregun maqedonas.

Duke iu referuar revokimit të licencës së bankës në Serbi, Filipçe ngriti pikëpyetje mbi vlerësimin e rreziqeve nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe guvernatori Sllaveski.

Ai kërkoi sqarime urgjente për sigurinë e depozitave të qytetarëve dhe ndërmarrjeve publike, duke theksuar se qytetarët kanë nisur të grumbullohen para disa filialeve të bankës për të tërhequr paratë.

„Guvernatori duhet të dalë qartë dhe të tregojë nëse qytetarët kanë arsye për shqetësim“, deklaroi Filipçe.

Kreu i LSDM-së pretendoi se partia e tij kishte ngritur shqetësime për Alta Bankën që në dhjetor të vitit të kaluar. Ai kërkoi që Prokuroria të hetojë nëse ka përgjegjësi te personat që mundësuan hyrjen e bankës në vend.

Filipçe gjithashtu ngriti akuza për ndikim politik dhe ekonomik nga Serbia mbi pushtetin aktual, duke paralajmëruar se LSDM-ja do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi për rastin.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume