Kryetari i Dubrovnikut propozon teste antidrogë për të gjithë politikanët: “Kamionët me kokainë vazhdojnë të mbërrijnë”
Kryetari i Dubrovnikut, Mato Frankoviq, ka ngritur sërish shqetësimin për përhapjen e kokainës në Kroaci, duke propozuar që të gjithë politikanët në vend t’i nënshtrohen testeve për drogë.
Gjatë seancës së sotme të Këshillit të Qytetit, Frankoviq deklaroi se kokaina vazhdon të mbërrijë në Dubrovnik dhe në Kroaci me sasi të mëdha, ndërsa kërkesa për këtë drogë po rritet.
“Kamionët vazhdojnë të vijnë. Ata mbërrijnë rregullisht dhe nuk vonohen kurrë. Çmimi po rritet, pjesërisht për shkak të inflacionit dhe çmimit të karburantit, por duhet të merret parasysh edhe fakti se pas nesh është një sezon i suksesshëm turistik, i cili ka rritur më tej kërkesën”, tha Frankoviq.
Ai paralajmëroi se problemi prek veçanërisht të rinjtë dhe se pasojat afatgjata të përdorimit të drogës do t’i vuajë i gjithë shoqëria, përfshirë sistemin shëndetësor dhe buxhetet lokale.
Sipas tij, për këtë çështje flitet pak në publik, pasi përdorimi i drogës është i pranishëm edhe në institucionet shtetërore.
“Pse askush nuk flet për këtë? Sipas vlerësimit tim, nuk ka institucion në këtë shtet ku të mos ketë të paktën 10 për qind përdorues, duke filluar nga gjykatat, Prokuroria e Shtetit, politika, Parlamenti kroat, këshillat komunalë dhe asambletë. Imagjinoni çfarë do të ndodhte nëse do të vendosnim teste antidrogë për të gjithë politikanët në Kroaci”, deklaroi kryetari i Dubrovnikut.
Frankoviq edhe më parë ka paralajmëruar për përhapjen e narkotikëve në qytet. Në tetor të vitit 2025, ai kishte deklaruar se sasia e kokainës në Dubrovnik matet me kamionë dhe jo me gramë, ndërsa kishte paralajmëruar edhe për qasjen e lehtë të të rinjve në amfetamina dhe ekstazi.
Ai kishte kërkuar reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse në nivel qyteti dhe qarku.