Hansi Flick doli në konferencë për media për të analizuar gjithçka që e pret në ndeshjen e fazës së ligës së Ligës së Kampionëve mes PSG-së dhe Barcelonës, dy skuadrave që renditen në vendin e parë dhe të dytë.

Pa dyshim, kjo është njëra prej ndeshjeve më tërheqëse, në mos më tërheqësja, që mund të shikohet në mbarë botën.

Trajneri gjerman pati vetëm fjalë të mira për PSG-në dhe Luis Enriquen, por gjithashtu shpjegoi se çfarë duhet të bëjë Barcelona për të konkurruar në kushte të barabarta me parisienët.

Flick pret një sfidë shumë kërkuese: “Mendoj se ndeshja e nesërme do të jetë një test i mirë për ne, për të parë se ku jemi. Dua që të luajmë me besim, guxim dhe si një skuadër e bashkuar. Nuk kemi humbur në dhjetë ndeshjet e fundit, por përballemi ndoshta me skuadrën më të mirë të dy viteve të fundit, më të mirën në botë. Është një mundësi e mirë për të parë nivelin tonë dhe çfarë mund të përmirësojmë”.

Flick beson se Barcelona ndodhet në një pozitë pozitive: “Sezoni i kaluar ishte i vështirë, por këtë sezon kemi luajtur që nga fillimi ashtu siç duam dhe ashtu siç prisnim të luante skuadra. Kemi shumë besim kur e kemi topin dhe krijojmë shumë raste. Është krejt ndryshe, por nesër është vetëm një ndeshje. Jemi gati për ta dhe i shoh lojtarët e mi të lumtur që do të përballen me PSG-në”.

Trajneri paralajmëroi gjithashtu për një nga rreziqet kryesore që paraqet skuadra parisien.

“Mesfusha është e rëndësishme, është zemra e lojës, dhe të dyja skuadrat kanë mesfushorë të një cilësie shumë të lartë. Natyrisht, posedimi i topit është i rëndësishëm: nëse kundërshtari nuk e ka topin, nuk mund të shënojë, por më pas mund të bësh gabime dhe kundërsulmet e PSG-së janë të jashtëzakonshme. Nuk mund t’ia lejojmë vetes ta humbim topin lehtë ose të bëjmë gabime. Duhet të jemi shumë të përqendruar”, tha ai.

Sa i përket pranimit të golave pothuajse në çdo ndeshje, Flick tha: “Të luash me vijë të lartë mbrojtëse është gjithmonë rrezik, por në fund gjithçka varet nga mënyra se si reagojmë kur e humbim topin dhe si e ruajmë distancën mes vete. Këtë duhet ta bëjmë dhe ta bëjmë mirë. Kemi mbajtur portën të paprekur vetëm në një ndeshje, por gjithashtu kemi shënuar shumë gola”.

Trajneri foli gjithashtu për momentin e klubit dhe lidhjen me tifozët.

“E vlerësoj shumë respektin dhe dashurinë që ndiejmë nga tifozët e Barcelonës, nga vetë qyteti dhe njerëzit e tij. Është diçka e mrekullueshme, edhe për mënyrën se si luajmë futboll, për mentalitetin dhe cilësinë tonë. Dhe, natyrisht, edhe sepse fitojmë. Kur fiton, të gjithë janë të lumtur. Jam shumë krenar për ta”, deklaroi ai.

I pyetur nëse ka filluar të mendojë për “El Clasicon”, Flick e bëri të qartë se cila është përparësia e tij: “Gjithmonë ndeshja e radhës është më e rëndësishmja, prandaj nesër”.

Në pjesën e fundit të konferencës për media, Flick u pyet edhe për gjykimin në “Santiago Bernabeu” gjatë ndeshjes mes Real Madridit dhe Sevillas, veçanërisht për ndërhyrjen e Arda Gulerit ndaj Peques.

Mesfushori turk e goditi me bërryl futbollistin e Sevillas në një aksion që shkaktoi polemika, ku u kërkua përjashtimi i tij me karton të kuq.

Ky vendim iu shtua edhe disa episodeve të tjera të diskutueshme në ndeshjen e drejtuar nga Busquets Ferrer, me Cuadra Fernandezin në VAR, duke nxitur kritika nga kampi i Barcelonës për atë që u konsiderua si gjykim në favor të skuadrës madrilene.

Megjithatë, Flick shmangu përfshirjen në debat dhe nuk deshi t’i komentonte vendimet e gjyqtarëve.

“Nuk është pyetje për mua. Për këto çështje duhet të pyesni dikë tjetër. E pashë atë që ndodhi, por nuk më pëlqen të përgjigjem”, tha trajneri gjerman.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume