Përdorimi i ChatGPT në Kosovë është dukshëm mbi mesataren e përdoruesve të Bashkimit Evropian.
Profesori dhe studiuesi nga Gjermania, Dominik Kanbach, ka treguar se rreth një e treta e njerëzve në popullatë e përdorin ChatGPT duke e specifikuar Kosovën që është shumë mbi mesataren e Bashkimit Evropian.
“Në Bashkimin Evropian, rreth një e treta e njerëzve në popullatë e përdorin inteligjencën artificiale. Në Kosovë, statistikat e fundit thonë se janë pothuajse 45%. Pra, është shumë mbi mesataren e Bashkimit Evropian…”, ka thënë ai, raporton KosovaPress.
Kanbach e sheh pozitive këtë, madje e ka quajtur si aset.
“…Kjo ndoshta është një fakt befasues për dikë, por unë thashë: kjo është diçka e mirë. Kjo tregon se sa e orientuar drejt së ardhmes dhe sa e prirur ndaj teknologjisë është Kosova. Dhe, padyshim, mendoj se është gjithashtu një popullatë e re dhe shumë e orientuar drejt së ardhmes. Kjo është një aset…”, ka thënë ai.
Profesori nga Gjermania ka treguar se një pjesë e madhe e ndërveprimeve me mjete si ChatGPT lidhen me nevojat e jetës së përditshme.
“73% e gjërave që njerëzit po e pyesin ChatGPT-në janë private, gjëra si: si të shkoj atje, ku mund ta blej këtë, pyetje mjekësore, apo këshilla. Tre të katërtat. Kjo është shumë”, ka potencuar Dominik Kanbach.