Kontributi i gjeneratave të inxhinierëve të arsimuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup shihet kudo që të shkoni nëpër Maqedoni. Këta inxhinierë vlerësohen edhe jashtë kufijve të vendit. Nëse vlera e vërtetë e një institucioni vlerësohet përmes veprave të njerëzve të tij, atëherë Fakulteti i Ndërtimtarisë mund të shënojë me krenari 77-vjetorin e themelimit”, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në shënimin e përvjetorit.
Fakulteti i Ndërtimtarisë i ndjek me sukses trendet botërore në transformimin digjital, tranzicionin e gjelbër dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, të cilat po e ndryshojnë sektorin e ndërtimtarisë, ndërsa inxhinierët e ardhshëm fitojnë njohuri dhe aftësi që u mundësojnë t’u përgjigjen me sukses sfidave bashkëkohore profesionale.
“ Përmes punës kërkimore-shkencore dhe pjesëmarrjes në iniciativa dhe projekte evropiane, fakulteti i ndërlidh shkencën, inovacionet dhe praktikën. Bashkëpunimi ndërkombëtar që fakulteti e trajton me universitete dhe institucione të shumta u mundëson studentëve dhe profesorëve të jenë pjesë e zhvillimeve bashkëkohore në ndërtimtari, të shkëmbejnë përvoja dhe të krijojnë njohuri të zbatueshme në sektorin real”, theksoi Janevska.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbetet partnere në krijimin e arsimit të lartë bashkëkohor dhe konkurrues si dhe do të vazhdojë ta mbështesë Fakultetin e Ndërtimtarisë në përpjekjet për mësimdhënie cilësore, përparim shkencor dhe krijimin e kuadrove të përgatitura për sfidat e shekullit XXI.
Janevska theksoi se Fakulteti i Ndërtimtarisë duhet të vazhdojë ta avancojë nivelin e tij të lartë akademik dhe shkencor, duke ndjekur standardet më të larta evropiane për cilësi dhe përsosmëri. Ajo shtoi se fakulteti ka rol kyç në përgatitjen e inxhinierëve të aftë për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore të zhvillimit, duke kontribuar në krijimin e komuniteteve më të qëndrueshme dhe më rezistente, infrastrukturës bashkëkohore dhe përdorimit të përgjegjshëm të burimeve.