Me gjashtë milionë euro, vitin e kaluar Qeveria e Maqedonisë financoi zbatimin e rreth 50
projekteve kërkimore-shkencore me interes publik, të cilat realizohen nga institucionet
publike shkencore dhe të arsimit të lartë, Akademia e shkencave dhe e arteve të Maqedonisë
dhe komuniteti i biznesit. E kemi gjallëruar dukshëm veprimtarinë shkencore dhe sot tashmë
po fillojmë t’i shohim rezultatet e këtyre projekteve.
Këtë e theksoi ministrja e arsimit dhe shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, në hapjen e
konferencës shkencore ndërkombëtare të IPS-së (Institutit Publik Shkencor) për Pronësinë
Intelektuale – „Pronësia intelektuale dhe transformimi digjital në shoqërinë maqedonase“, e
cila organizohet në kuadër të projektit „Faktorët e menaxhimit të pronësisë intelektuale dhe
transformimit digjital në Maqedoni“, të financuar nga Ministria e arsimit dhe shkencës.
„Në fokus të këtij projekti është ndikimi i transformimit digjital mbi kuadrin ligjor për
mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Është e rëndësishme që kjo çështje të jetë objekt i
hulumtimit, sepse zhvillimi i shpejtë teknologjik dhe digjitalizimi i përshpejtuar hapin
mundësi të reja, por njëkohësisht paraqesin edhe sfida serioze për kuadrin ekzistues ligjor dhe
rregullator. Mbrojtja e të drejtave të autorit, markave tregtare, patentave, sekreteve tregtare
dhe të dhënave personale marrin një dimension të ri dhe janë të domosdoshme që këto
procese të analizohen në mënyrë sistematike dhe shkencore, në përputhje me tendencat
bashkëkohore evropiane dhe botërore“, tha Janevska.
„Ministrja theksoi se hulumtimi tashmë e ka forcuar lidhjen ndërmjet shkencës dhe
vendimmarrësve, profesionistëve të drejtësisë dhe institucioneve që kanë rol të rëndësishëm
në mbrojtjen e pronësisë intelektuale.“
„ Si ministre e arsimit dhe shkencës, jam krenare jo vetëm për këtë projekt, por edhe për të
gjitha projektet e tjera që i kemi mbështetur si Qeveri gjatë vitit të kaluar. Ato janë të
rëndësishme, sepse konfirmojnë rolin e shkencës si nxitëse të zhvillimit dhe si partnere e
rëndësishme në hartimin e politikave publike të bazuara në njohuri dhe dëshmi shkencore“,
shtoi Janevska.
Theksoi se synimi i Qeverisë është që puna kërkimore-shkencore të prodhojë rezultate që do
të kenë vlerë reale për institucionet, ekonominë dhe qytetarët. Për këtë arsye, buxheti për
shkencën është dyfishuar. Gjithashtu, është mundësuar qasja falas në bazat më të njohura
shkencore globale „Web of Science“ dhe „Scopus“ për të gjithë shkencëtarët dhe profesorët
akademikë maqedonas.

MASH-i mbulon shpenzimet për publikimin e punimeve shkencore në revista me faktor
ndikimi, për organizimin e konferencave shkencore vendore dhe pjesëmarrjen në konferenca
shkencore ndërkombëtare, si dhe shpenzimet për botimin e përmbledhjeve të punimeve
shkencore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume