Me investim të përgjithshëm prej 14 milionë denarë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i
rikonstruktoi sallat sportive në Shkollat Fillore „Strasho Pinxhur” në Karbincë dhe „Dimitar
Vllahov” në Shtip, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet për zhvillimin e mësimit të lëndës së
edukatës fizike, si dhe për aktivitetet sportive të fëmijëve që mësojnë dhe jetojnë në rrethinën
e këtyre dy shkollave.
Sallat sportive të rinovuara sot i vizitoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna
Janevska, e cila informoi se aktivitetet u realizuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në
bashkëpunim me komunat, në kuadër të projektit të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe
Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, përmes të cilit po rinovohen 30 salla sportive
shkollore në territorin e Maqedonisë, në vlerë të përgjithshme rreth 200 milion denarë.
“Jam mirënjohëse për mbështetjen e partnerëve të vendit dhe e lumtur që vazhdimisht po e
përmirësojmë infrastrukturën, sepse ajo është një nga kushtet themelore për të pasur arsim
cilësor, krahas teksteve shkollore, programeve mësimore dhe mësimdhënësve të motivuar. Ju
rikujtoj se deri më tani, qeveria aktuale, gjatë mandatit dyvjeçar, ka realizuar 90 projekte për
ndërtimin e shkollave të reja dhe sallave sportive, si dhe për rikonstruksionin e objekteve
ekzistuese, duke përfshirë edhe dy konvikte studentore. Vazhdojmë me përpjekjet edhe në
periudhën në vijim, sepse çdo fëmijë meriton qasje të barabartë në kushte cilësore për arsim”,
tha Janevska.
Për rinovimin e sallës sportive në ShF „Strasho Pinxhur” në Karbincë janë investuar rreth 4,2
milionë denarë, ndërsa në sallën sportive në kuadër të ShF „Dimitar Vllahov” në Shtip janë
investuar 10 milionë denarë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume