Ndryshimet kushtetuese janë hapi që Maqedonia e Veriut duhet ta ndërmarrë për të vazhduar procesin eurointegrues pa vendime shtesë politike, deklaroi eurokomisarja për Zgjerim, Marta Kos, pas takimit kokë më kokë në Bruksel me zëvendëskryeministrin dhe ministrin për Çështje Evropiane, Bekim Sali.

Në takim u diskutuan Plani i Rritjes dhe procesi i integrimit evropian i vendit, ndërsa Kos i bëri thirrje Qeverisë që të përmbushë obligimin e saj lidhur me ndryshimet kushtetuese.

“Nuk ka shumë gjëra që duhet të bëhen. Ka shumë punë në përgjithësi, por bëhet fjalë për një hap, ndryshimet kushtetuese. Pasi të miratohen amendamentet kushtetuese, do të mund të vazhdojmë përpara pa vendime të tjera politike. Prandaj, ky është apeli im për Qeverinë: ju lutem, bëjeni këtë, përmbusheni obligimin tuaj. Jam e sigurt se më pas do të mund të ecim përpara, në interesin më të mirë të qytetarëve tuaj”, tha Kos.

Ajo vlerësoi se momenti aktual paraqet një mundësi të rëndësishme për përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, duke përmendur avancimin e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Po jetojmë në një moment historik në të cilin disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor po përparojnë. Shpresoj që shumë shpejt ta nënshkruajmë marrëveshjen e anëtarësimit me Malin e Zi. Edhe Shqipëria po ecën mirë përpara. Prandaj, ky është vërtet momenti i duhur që edhe Maqedonia e Veriut të vazhdojë përpara. Nga politikanët në Maqedoninë e Veriut varet nëse do t’i përmbushin pritjet”, theksoi Kos.

Bekim Sali ndodhet në një vizitë treditore në Bruksel, në kuadër të së cilës po zhvillon takime me përfaqësues të institucioneve evropiane për çështje që lidhen me integrimin evropian dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume