Adri Mehmeti, 17-vjeçari me prejardhje shqiptare, po konsiderohet një nga talentet më premtuese të futbollit në Amerikën e Veriut, pasi brenda një kohe të shkurtër ka arritur të depërtojë në ekipin e parë të New York Red Bulls dhe të debutojë me kombëtaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një artikull të publikuar nga CNN Sports, Mehmeti përshkruhet si një nga emrat e rinj që mund të ndihmojnë në ngritjen e nivelit të futbollit amerikan në vitet e ardhshme.

Mesfushori mbrojtës, i cili është vetëm 17 vjeç, ka fituar vend të rëndësishëm te New York Red Bulls, ndërsa zhvillimi i tij i shpejtë ka tërhequr vëmendjen edhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

Mehmeti debutoi me ekipin e parë të klubit në shkurt, në moshën 16-vjeçare, ndërsa në prill shënoi golin e tij të parë në Major League Soccer (MLS).

Talenti i ri, të dy prindërit e të cilit janë nga Shqipëria, e nisi rrugëtimin e tij në futboll që në fëmijëri, duke luajtur me të atin në oborrin e shtëpisë. Në vitin 2019, rreth moshës 10-vjeçare, ai iu bashkua akademisë së New York Red Bulls, ku nisi të ngjitej gradualisht drejt ekipit të parë.

“Për mua, babai im është ndikimi më i madh në fushë dhe jashtë saj gjithashtu”, ka thënë Mehmeti për CNN Sports.

Ai ka treguar se lidhja me futbollin nisi shumë herët, duke kujtuar kohën kur godiste topin me të atin që në moshën dyvjeçare.

Të dy prindërit e tij janë me origjinë nga Shqipëria, ndërsa babai i tij kishte luajtur futboll edhe në rini, duke përfaqësuar vendin në nivelin e të rinjve. Mehmeti vetë kishte përfaqësuar Shqipërinë në kategoritë e reja, përpara se të debutonte me përfaqësuesen e seniorëve të SHBA-së.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume