Pas zhvillimeve të fundit që kanë përfshirë këngëtaren Eli Fara, ka ardhur edhe një reagim nga vajza e saj, Marina Fara.

Marina ka zgjedhur të mos komentojë drejtpërdrejt situatën, por ka ndarë në Instagram një video me përmbajtje fetare, vetëm pak kohë pasi në media u publikuan detaje nga dëshmia e nënës së saj në Polici.

Në videon e ripostuar prej saj shfaqen pamje nga Meka, ndërsa mesazhi përqendrohet te uljet dhe ngritjet e jetës, largimi i njerëzve dhe besimi te Zoti në momentet e vështira.

“Sot je lart, nesër je poshtë”, thuhet në një pjesë të videos, ndërsa më tej mesazhi vijon:

“Kur kam frikë, ngre duart. Kur nuk di çfarë të bëj, i besoj planit të Tij.”

Në një tjetër pjesë thuhet:

“Ya Allah, më trego rrugën dhe bëj edhe një hap me besim. Kam Allahun, kam gjithçka.”

Marina nuk ka dhënë ndonjë shpjegim shtesë për postimin dhe as nuk e ka lidhur publikisht atë me situatën e nënës së saj.

Megjithatë, koha kur është bërë publikimi ka tërhequr vëmendjen, pasi përkon me raportimet mediatike mbi dëshminë e Eli Farës.

Sipas raportimeve, këngëtarja është paraqitur në Polici pas publikimit dhe shpërndarjes së disa videove private në rrjet. Ajo mësohet të ketë deklaruar se nuk ishte në dijeni se po filmohej, ndërsa denoncimi lidhet me publikimin dhe shpërndarjen e materialeve.

Nga ana e saj, Marina ka preferuar të mos hyjë në detaje dhe të përcjellë vetëm një mesazh besimi dhe mbështetjeje shpirtërore, në një moment kur emri i nënës së saj ndodhet në qendër të vëmendjes mediatike.