Ndërsa Bashkimi Evropian po e përshpejton procesin e zgjerimit, me përparim konkret të Malit të Zi, Shqipërisë, Ukrainës dhe Moldavisë, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet e bllokuar nga pengesat politike në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Vendimet e fundit në Bruksel tregojnë se zgjerimi po merr sërish një rëndësi të madhe gjeopolitike, por edhe se vendet kandidate nuk po përparojnë me të njëjtin ritëm.

“Bashkimi Evropian nuk është një klub i mbyllur. Ai është i hapur për të gjitha shtetet evropiane që i përmbushin kushtet për anëtarësim”, deklaroi kancelari gjerman, Friedrich Merz, më 16 tetor, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Evropian në Bruksel.

Deklarata e tij vjen vetëm dy javë pas vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup, ku ajo përsëriti se për hapjen e grupit të parë të kapitujve negociues mbetet të përmbushet detyrimi i dakorduar për ndryshimet kushtetuese.

Mesazhet nga Brukseli marrin një peshë të veçantë në kontekstin e retorikës politike në Maqedoninë e Veriut.

Vetëm një ditë para deklaratës së Merz, kryeministri Hristijan Mickoski, në një intervistë për TV21, pretendoi se “ne jemi liderët e vërtetë të procesit” dhe se vendi do të përparojë “me vrull të madh” sapo të zhbllokohet procesi.

Megjithatë, siç u theksua në analizën e CIVIL Media të publikuar më 17 tetor, këto pretendime janë në mospërputhje të dukshme me gjendjen faktike: Mali i Zi dhe Shqipëria po përparojnë në negociatat me Bashkimin Evropian, ndërsa Maqedonia e Veriut ende nuk e ka hapur grupin e parë të kapitujve negociues.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume