Mexhiti: Konsensusi për Presidenten e re të Kosovës, dëshmi edhe për vizionin politik të Albin Kurtit
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka përshëndetur zgjedhjen e akademikes Justina Shiroka Pula në postin e Presidentes së re të Kosovës.
Përmes një reagimi, Mexhiti e ka vlerësuar Shiroka Pulën si një intelektuale të dëshmuar, duke theksuar kontributin e saj në fushën e ekonomisë dhe atë akademik.
“Presidenten e re të Kosovës, akademiken Justina Shiroka Pula, e njohim përmes kontributit të saj intelektual dhe librave të saj në fushën e ekonomisë. Është një intelektuale e dëshmuar, dhe zgjedhja e saj nderon jo vetëm institucionin e Presidentit, por gjithë botën akademike”, ka shkruar Mexhiti.
Ai e ka cilësuar zgjedhjen e saj si një hap të rëndësishëm për forcimin e stabilitetit institucional dhe politik në Kosovë, veçanërisht në një periudhë që e konsideron sfiduese për vendin.
Mexhiti është shprehur edhe për procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si “të padrejtë”.
Sipas tij, konsensusi i arritur për zgjedhjen e Presidentes së re dëshmon pjekuri politike dhe vullnet për tejkalimin e ngërçeve institucionale.
“Për këtë, përgëzime për kryeministrin Albin Kurti për maturinë dhe përgjegjësinë e treguar në këtë moment të rëndësishëm”, ka deklaruar Mexhiti.
Në fund, ai ka bërë thirrje për institucione të forta, stabilitet dhe unitet politik në Kosovë.
“Urime Kosovë!”, përfundon reagimi i tij.