Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mori pjesë në manifestimin tradicional “Në gjurmët e më të mirëve”, të organizuar nga Forumi Rinor Islam, një ngjarje kushtuar vlerësimit të arritjeve akademike dhe promovimit të nxënësve e studentëve të dalluar për suksesin dhe përkushtimin e tyre në arsim.

Në kuadër të manifestimit, Mexhiti ndau mirënjohje për të rinjtë e dalluar, duke vlerësuar rezultatet e tyre si dëshmi të rëndësisë së dijes, disiplinës dhe angazhimit të vazhdueshëm. Ai theksoi se njohja publike e këtyre arritjeve përbën një formë të rëndësishme të mbështetjes shoqërore dhe njëkohësisht përcjell një mesazh inkurajues për brezat e rinj.

“Një shoqëri e dëshmon drejtimin e saj edhe përmes vlerave dhe shembujve që zgjedh të promovojë. Sot, duke vlerësuar nxënësit dhe studentët e dalluar, ne jo vetëm që njohim punën dhe përkushtimin e tyre, por afirmojmë dijen si një nga themelet më të rëndësishme të zhvillimit shoqëror. Këto suksese janë njëkohësisht motivim dhe përgjegjësi për ne që përfaqësojmë institucionet. Detyra jonë është të krijojmë kushte dhe mundësi që talenti, aftësitë dhe ambiciet e të rinjve të zhvillohen dhe të marrin mbështetjen që meritojnë. Investimi në arsim dhe në potencialin e brezave të rinj është investimi më i qëndrueshëm në të ardhmen tonë”, deklaroi Mexhiti.

Kryetari Mexhiti përgëzoi Forumin Rinor Islam për organizimin dhe vazhdimësinë e manifestimit “Në gjurmët e më të mirëve”, duke vlerësuar kontributin e tij në promovimin e suksesit akademik dhe afirmimin e të rinjve në jetën publike. Ai ritheksoi përkushtimin e Komunës së Çairit për mbështetjen e arsimit dhe zhvillimin e iniciativave që krijojnë mundësi më të gjera për nxënësit dhe studentët.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume