Mexhiti: Tri medalje nga Kampionati Ballkanik në Kroaci, mundësit e SHKUPI-t krenaria e Çairit
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka përgëzuar mundësit e Klubit të Mundjes SHKUPI për suksesin e arritur në Kampionatin Ballkanik të mbajtur në Koprivnicë të Kroacisë, ku sportistët siguruan tri medalje, një të artë, një të argjendtë dhe një të bronztë.
Harun Memedi u shpall Kampion i Ballkanit në kategorinë 38 kg, duke fituar medaljen e artë dhe duke u ngjitur në majën e podiumit. Suksesin e ekipit e plotësuan Abdul Aziz Azizi, i cili fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë 62 kg, dhe Miraxh Mustafa, i cili siguroi medaljen e bronztë në kategorinë U17, 55 kg.
“Nga Kroacia në Çair po sjellim tri medalje dhe tri arsye të mëdha për krenari. Harun Memedi, Abdul Aziz Azizi dhe Miraxh Mustafa dëshmuan se puna, disiplina dhe përkushtimi janë rruga drejt suksesit. Këta të rinj, me rezultatet e tyre, nderuan klubin SHKUPI, Çairin dhe reprezentacionin e Maqedonisë së Veriut. Sukseset e tyre janë dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm që kanë sportistët tanë dhe motivim për gjeneratat e reja që të ndjekin rrugën e sportit. Urime kampionëve tanë!”, deklaroi Mexhiti.
Kryetari Mexhiti vlerësoi gjithashtu kontributin e trajnerëve Jasin Rexhallari dhe Bunjamin Ebipi, të cilët udhëhoqën dhe përgatitën ekipin për këtë garë, duke theksuar rëndësinë e punës profesionale dhe përkushtimit në zhvillimin e talenteve të reja sportive.
Tri medaljet e fituara në Kampionatin Ballkanik përfaqësojnë një tjetër sukses të rëndësishëm për Klubin e Mundjes SHKUPI dhe sportin në Çair.


