Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në intervistën për Alsat-M e komentoi kërkesën e opozitës, konkretisht të Venko Filipçes, për “vetting”. Mickoski theksoi se nuk ka asnjë problem me këtë kërkesë, madje, nëse duan, ajo mund të zgjerohet edhe te familjet dhe nëse duhet, të vendoset edhe poligrafi. Kryeministri theksoi se më herët, gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, ai dhe familja e tij i ishin nënshtruar kontrollit të plotë.
„Por kjo nuk është e rëndësishme. Së pari duhet t’i përgjigjemi një pyetjeje, pse, nëse besonin në “vetting”, e ndryshuan Kodin Penal me flamur evropian dhe e fshinë nenin 353? Pse? Ja, nëse janë kaq evropianë të mëdhenj dhe politikanë të ndershëm, pse e bënë këtë? Unë vetëm po shtroj një dilemë morale. Ju do të dilni në opinion, “vetting”, fjalë e bukur “vetting” dhe tani mendoni se do t’i impresiononi qytetarët. Jo. Ju duhet t’i përgjigjeni një pyetjeje të thjeshtë, pse e ndryshuat Kodin Penal për t’i dhënë vetes amnisti politike, nëse besonit në sundimin e ligjit? Dhe, së fundmi, duhet të përgjigjeni se si arrihet të merret viza e artë në Dubai dhe nëse vitamina D3 ndikoi pozitivisht apo negativisht në jahtin në Paliouri? Nuk kam asnjë problem, por së pari të japim përgjigje se si adoleshentët bëhen pronarë të qendrave tregtare. Ja, së pari për këtë të japim përgjigje“, theksoi kryeministri Mickoski.