Rusia ka kryer një sulm masiv me raketa dhe dronë ndaj disa qyteteve të Ukrainës, duke vrarë të paktën 20 persona, mes tyre katër fëmijë.

Qyteti më i goditur ishte Priluki, në rajonin e Çernihivit, ku një raketë ruse goditi një ndërtesë banimi pesëkatëshe. Si pasojë, 14 persona u vranë, përfshirë katër fëmijë, ndërsa 50 të tjerë u plagosën. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë 15 persona nga rrënojat dhe operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, shkruan sky news.

Sulme u raportuan edhe në kryeqytetin Kiev. Dy persona u vranë pasi një sulm ajror shkaktoi zjarr në një kompleks garazhesh në lagjen Darnytskyi. Shpërthime dhe dëme u raportuan edhe në lagjet Podil, Obolon dhe Shevchenkivskyi.

Në Kremenchuk, sulmet dëmtuan ndërtesa banimi dhe një objekt industrial. Atje u vranë dy persona dhe shtatë të tjerë u plagosën. Sulme dhe dëme u raportuan gjithashtu në Dnipro, Zaporizhzhia dhe Oleksandria.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e dënoi sulmin, duke thënë se Rusia kishte përdorur dhjetëra raketa dhe dronë dhe se mbrojtja ajrore ukrainase kishte arritur të rrëzonte një pjesë të konsiderueshme të tyre.

Zelensky theksoi se raketat balistike mbeten një prej sfidave kryesore për mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe përsëriti kërkesën për sisteme amerikane Patriot.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume