Ministria e Drejtësisë planifikon që gjatë kësaj jave t’i dërgojë ftesë për takim kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, për të diskutuar përfshirjen e partisë së tij në procesin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Takimi pritet të mbahet në Kuvend. Nga Ministria e drejtësisë bëjnë të ditur se dinamika e mëtejshme e punës dhe caktimi i takimit të radhës do të varen nga përfundimi i konsultimeve me Filipçen.
“Gjatë kësaj jave planifikohet t’i dërgohet ftesë për takim kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, në Kuvend, për të diskutuar drejtpërdrejt mundësinë e përfshirjes së partisë që ai drejton në procesin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Dinamika e mëtejshme e punës së Grupit të Punës dhe caktimi i takimit të radhës do të varen nga përfundimi i këtyre konsultimeve, me synimin që procesi të vazhdojë me pjesëmarrje sa më të gjerë dhe me konsensus politik”, deklaruan nga Ministria e Drejtësisë.
-Gjatë kësaj jave planifikohet t’i dërgohet ftesë për takim kryetarit të LSDM-së
-Dinamika dhe takimi i radhës do të varen nga përfundimi i konsultimeve
Nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se mbeten të përkushtuar që procesi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të zhvillohet me përfshirjen e të gjitha partive politike, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe në përputhje me standardet evropiane.
“Qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë është se Kodi Zgjedhor nuk duhet të jetë rezultat i interesave të ngushta partiake, por i një procesi gjithëpërfshirës që garanton zgjedhje të drejta, transparente dhe demokratike, në përputhje me standardet evropiane”, theksuan nga Ministria e Drejtësisë.
Por kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, menjëherë pas paralajmërimeve të ministrit të Drejtësisë Jeton Shasivari për përpjekje për bisedime, në fillim të këtij muaji, tha se nuk do ta mbështes një ligj jodemokratik dhe joevropian, duke lënë të kuptohet se nuk do ta pranojë ftesën që të ulet në të njëjtën tryezë me propozimet e njëjta. Madje Filipçe e pati porositur Shasivarin që fare mos të merret me të. Opozitarja LSDM është shprehur kategorikisht kundër votimit elektronik ose me postë të diasporës. Bisedimet kanë mbetur në vend-numëro tashmë një kohë të gjatë. Kujtojmë se pas përfundimit të bisedimeve brenda grupit të punës në Ministrinë e Drejtësisë, shumica parlamentare dorëzoi në Kuvend propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Por pas kësaj, LSDM dhe e Majta së bashku dorëzuan 13,500 amendamente me qëllim për t’i bllokuar ndryshimet.