MINISTRIA E ENERGJETIKËS: TË ARDHURAT NGA KONCESIONET JANË MË HUMË SE DYFISHUAR, 53 KONTRATA TË NDËRPRERA DHE KAPACITET I FORCUAR INSPEKTUES
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale po ndërmerr masa konkrete për vlerësimin më të lartë të burimeve natyrore, përmbushjen e qëndrueshme të detyrimeve koncesionare dhe mbikëqyrjen më efikase në sektorin minerar. Tarifat e koncesionit janë rritur, të ardhurat në vitin 2025 kaluan 1,2 miliardë denarë, janë evidentuar 53 kontrata koncesioni të ndërprera, ndërsa në vitin 2026 kapaciteti inspektues është forcuar me tre inspektorë shtesë.
Me Tarifat e reja, në fuqi nga 1 janari 2025, tarifa e koncesionit për lëndët e para minerale metalike është rritur nga 2% në 4%, ndërsa për mermerin nga 1% në 5%. Këto ndryshime rrisin detyrimin financiar të koncesionarëve për shfrytëzimin e burimeve natyrore, si dhe të ardhurat që shteti përfiton nga eksploatimi i tyre.
Të ardhurat e përgjithshme nga tarifat e koncesionit në vitin 2024 ishin rreth 561,5 milionë denarë, ndërsa në vitin 2025 arritën në rreth 1,222 miliardë denarë. Kjo paraqet rritje prej mbi 660 milionë denarësh, pa përfshirë tatimet dhe kontributet që kompanitë paguajnë mbi baza të tjera.
Paralelisht me përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave, Ministria po vepron edhe lidhur me kontratat e koncesionit. Rritja e të ardhurave vjen si rezultat i tarifave më të larta, kontrolleve më të shpeshta në terren, vërejtjeve me shkrim dhe veprimeve më të vendosura ndaj koncesionarëve që nuk i përmbushin detyrimet. Ndërprerja e kontratave dhe forcimi i mbikëqyrjes inspektuese janë pjesë e një qasjeje ku koncesioni nënkupton detyrime të qarta, ndërsa pagesa e tarifës nuk i përjashton operatorët nga përmbushja e kushteve teknike dhe detyrimeve për mbrojtjen e mjedisit.
Për rregullimin afatgjatë dhe sistematik të sektorit është miratuar Strategjia për kërkimet gjeologjike, shfrytëzimin e qëndrueshëm dhe eksploatimin e lëndëve të para minerale për periudhën 2026–2046, me kontributin e ekspertëve të ASHAM-it. Për dokumentin është kryer vlerësim strategjik i ndikimit në mjedis dhe është mbajtur debat publik. Strategjia i ndërthur objektivat ekonomike me mbrojtjen e mjedisit dhe aspektet sociale, si dhe përmban një plan veprimi për periudhën 2026–2030. Ajo ofron një kornizë për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e masave për zhvillimin e sektorit.
Ministria po punon edhe për zgjidhje të reja ligjore në fushën e minierave dhe gjeologjisë. Kuadri i propozuar parashikon mbulim financiar prej 100% të kostove të vlerësuara në planin përkatës të menaxhimit të mbetjeve minerare dhe të detyrimeve që lidhen me to. Kështu, krahasuar me modelin aktual, ku garancia mbulon rreth një të tretën e kostove të vlerësuara, siguria financiare do të ishte afërsisht tri herë më e madhe. Synimi është të forcohet përgjegjësia financiare e operatorëve dhe të sigurohen në kohë mjetet për sanimin, rikultivimin dhe përmbushjen e detyrimeve pas mbylljes së kapaciteteve minerare.
Gjatë hartimit të zgjidhjeve ligjore, publiku pati mundësi të marrë pjesë përmes ENER-it, përfshirë ekspertët, komunat, kompanitë, organizatat e shoqërisë civile dhe individët. Në faqen e internetit të Ministrisë janë publikuar regjistrat e kontratave të koncesionit, lista e koncesioneve të revokuara, si dhe regjistrat e autorizimeve dhe licencave për projektet minerare dhe dokumentacionin gjeologjik. Publikimi i këtyre dokumenteve mundëson verifikimin e informacionit konkret dhe kontribuon në rritjen e transparencës në sektor.
Burimet minerale mund të nxisin investimet, hapjen e vendeve të punës dhe zhvillimin e ekonomisë vendase. Megjithatë, potenciali ekonomik i një projekti nuk i zëvendëson kushtet ligjore për miratimin dhe realizimin e tij. Çdo projekt duhet të shqyrtohet edhe për ndikimin që mund të ketë në ujë, tokë, ajër, shëndetin e njerëzve, bujqësi dhe veprimtaritë e tjera në zonën e prekur.
Duhet bërë dallim i qartë mes kërkimeve gjeologjike, planit hapësinor, koncesionit dhe lejes për eksploatim, pasi secili prej këtyre instrumenteve ka funksion të ndryshëm juridik. Përmendja e një vendburimi mineral ose e destinimit për veprimtari minerare në një dokument planifikimi nuk përbën në vetvete leje për hapjen e një miniere. Po ashtu, koncesioni nuk i zëvendëson procedurat e tjera të detyrueshme, aktet mjedisore dhe miratimet.
Ministria vepron brenda kompetencave të saj ligjore, ndërsa procedurat për mbrojtjen e mjedisit zhvillohen pranë organeve kompetente për mjedisin. Mbikëqyrjen e kryejnë dy organe të veçanta inspektuese, secili brenda kompetencave të veta: Inspektorati Shtetëror për Energjetikë, Miniera dhe Lëndë të Para Minerale (rregulloret minerare, gjeologjike dhe teknike) dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit (mbrojtja e mjedisit). Forcimi i kapaciteteve të personelit të të parit do të vazhdojë. Çdo institucion mban përgjegjësi për ligjshmërinë, kushtet e përcaktuara dhe arsyetimin e akteve që nxjerr. Shqetësimet e qytetarëve lidhur me furnizimin me ujë, bujqësinë, mbetjet dhe zhvillimin lokal meritojnë trajtim serioz dhe përgjigje konkrete e të verifikueshme.
Ministria thekson se politizimi i kësaj çështjeje dhe përhapja e informacioneve sipërfaqësore ose të paverifikuara e vështirësojnë debatin e informuar publik. Barazimi i një dokumenti planifikues me lejen për hapjen e një miniere është juridikisht i gabuar dhe krijon frikë të pajustifikuar te qytetarët. Partitë politike, përfshirë opozitën, kanë përgjegjësi t’i bazojnë qëndrimet e tyre në dokumente dhe fakte të verifikueshme, e jo në të dhëna të përzgjedhura në mënyrë selektive dhe cilësime politike. Shfrytëzimi i shqetësimit të qytetarëve për të fituar votues, në vend që të sqarohen faktet, përbën keqpërdorim të një çështjeje me interes të rëndësishëm publik.
Qytetarët kanë të drejtë të presin që vendimet të merren në bazë të ligjit, vlerësimit profesional dhe kushteve të përcaktuara qartë. Çdo procedurë që është në kompetencë të Ministrisë do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet përkatëse evropiane për mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë. Ministria nuk do të marrë vendime as me kërkesë të investitorëve, as nën presion politik, por vetëm në përputhje me ligjin dhe në interes publik. Ministria mbetet e hapur për komunikim me qytetarët, komunitetet lokale, ekspertët dhe organizatat e shoqërisë civile, dhe do të vazhdojë të japë përgjigje konkrete brenda kompetencave të saj.
Me respekt,
Мinistria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale