Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, sot në Vjenë nisi
pjesëmarrjen në programin ndërkombëtar “Gratë Udhëheqëse – Evropa Juglindore dhe Deti i
Zi/Kaukazi i Jugut 2026”. Në kuadër të tij, ajo mori pjesë në një sesion kushtuar menaxhimit
operacional të krizave dhe zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të institucioneve austriake.
Në fokus të ditës së parë ishte edhe forcimi i marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Austrisë në
fushën e energjetikës. Bozhinovska zhvilloi një takim pune me Severin Gruberin, sekretar të
përgjithshëm të Ministrisë Federale të Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit të Austrisë.
Në takim u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet dypalëshe dhe ekonomike, çështjet aktuale
të energjetikës dhe proceset e tranzicionit energjetik, si dhe për mundësitë e thellimit të
kontakteve dhe shkëmbimit të përvojave në sektorin energjetik.
Në kuadër të programit, Bozhinovska zhvilloi gjithashtu një drekë pune me drejtorin e
Akademisë Diplomatike të Vjenës, ambasadorin Martin Eichtinger. Në fokus të bisedës ishin
lidershipi, shërbimi publik dhe rëndësia e shkëmbimit ndërkombëtar të përvojave.
„Gratë Udhëheqëse – Evropa Juglindore dhe Deti i Zi/Kaukazi i Jugut 2026” është një
program ekzekutiv i Akademisë Diplomatike të Vjenës, që bashkon gra në pozita
drejtuese nga rajoni dhe synon forcimin e kapaciteteve drejtuese dhe shkëmbimin e
përvojave mbi sfidat bashkëkohore në sektorin publik.
Gjatë pjesës së mbetur të qëndrimit në Vjenë, ministrja Bozhinovska do t’u drejtohet
studentëve të Akademisë Diplomatike të Vjenës dhe do të mbajë një ligjëratë kushtuar
tranzicionit energjetik dhe zhvillimeve aktuale në sektorin energjetik në Maqedoni.
Studentëve do t’u prezantohen proceset kryesore në fushën e energjetikës, zhvillimi i
burimeve të ripërtëritshme të energjisë, modernizimi i infrastrukturës, siguria energjetike
dhe ndërlidhja rajonale.
Me pjesëmarrjen në program dhe agjendën e punës në Vjenë, Ministria vazhdon të
promovojë aktivisht prioritetet energjetike të Maqedonisë në arenën ndërkombëtare dhe
të krijojë hapësirë për partneritete të reja dhe shkëmbim përvojash.




