Prezantohet aplikacioni „m.Uslugi“, i cili u mundëson qytetarëve identitet digjital, dokumente elektronike dhe qasje në shërbimet publike përmes telefonit celular.

Ministria e Transformimit Digjital ka prezantuar aplikacionin celular „m.Uslugi“, përmes të cilit qytetarët do të mund të përdorin dokumentet e tyre elektronike, përfshirë kartën e identitetit dhe patentën e shoferit, si dhe të kenë qasje në shërbime të ndryshme publike në mënyrë digjitale.

Aplikacioni është falas dhe përdorimi i tij është vullnetar. Ai ofron një mundësi shtesë për të shfrytëzuar shërbimet e institucioneve, pa i zëvendësuar apo shfuqizuar mënyrat ekzistuese të komunikimit me to.

Gjatë prezantimit, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, aktivizoi aplikacionin dhe shtoi kartën e tij elektronike të identitetit në portofolin digjital.

Ministri sqaroi se bëhet fjalë për një version elektronik të dokumentit zyrtar dhe jo thjesht për një fotografi apo dokument në formatin PDF.

Një nga funksionet kryesore të aplikacionit është mundësia e ndarjes selektive të të dhënave personale. Kjo do të thotë se qytetarët mund të konfirmojnë vetëm informacionin e nevojshëm, për shembull, nëse janë mbi 18 vjeç, pa pasur nevojë të zbulojnë të dhëna të tjera personale.

Në fazat e ardhshme parashikohet edhe integrimi i mundësisë për kryerjen e pagesave përmes aplikacionit.

Sipas Andonovskit, synimi është thjeshtimi i procedurave administrative, reduktimi i burokracisë dhe lehtësimi i qasjes së qytetarëve në shërbimet publike.

Ideja për zhvillimin e aplikacionit „m.Uslugi“ ka nisur në vitin 2024, pas njohjes me modelin ukrainas „Diia“. Koncepti është zhvilluar në kuadër të projektit evropian „GovTech4All“, përmes programit „Digital Europe“.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume