Nga: Alpin Ollogu

E keni parë si paraqitej kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në janarin e 2026 gjatë vizitës në Izrael, gjithë tangërrllëk dhe lavde për qeverinë kriminale dhe njeriun e kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte, zullumqarin e pashembullt të kohërave moderne, Benjamin Natanjahu. E keni parë se si kryeministri Rama, në kohën kur mbi civilët e pambrojtur të Gazës, fëmijë, gra, pleq, shkatërrime të pronës dhe dëbime masive, kryhej gjenocidi më i dokumentuar në historinë e njerëzimit, Rama ngrinte në piedestal luftën antisemite. Ju jargavitej me historinë e shpëtimit dhe strehimit që shqiptarët ju paskan bërë hebrenjve gjatë persekutimit nazist, kur të gjithë të tjerët ju mbyllshin dyert. Nuk nguroi të sulmojë e fajësojë edhe ushtarët e ushtrisë çlirimtare të Palestinës, Hamazin, po me retorikën e Natanjahut, ashtu si akuzonte Adolf Hitleri ushtarët polakë, me akuzën se kishin vrarë disa ushtarë gjermanë në zonë kufitare, për ta pushtuar dhe vrarë më pas popullin polak.
E kuptueshme se Rama këtë nuk e ka bërë ngaqë beson prej vërteti në ato që tha për Izraelin në Izrael, apo hiperbolizimin e “aktit të madh” të shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve, por e bëri këtë për të përfituar simpatinë e administratës Trump, në një kohë kur shumica gati absolute e qeverive të botës distancoi dhe gjuajti me gurë mbi qeverinë demoniake të Natanjahut. Rama i tha në një mënyrë djallit, ja, i dashur, kur të gjithë të gjuajnë me gurë, unë t’u gjenda pranë si askush tjetër. Por me shpresë, me një marrëveshje që kryen njeriu me djallin, për të shkelur diçka të shenjtë, siç është gjaku i të pafajshmëve, që ky i fundit, me forcën demoniake, t’i gjendej pranë, në ditë të vështira, kur laku i drejtësisë (SPAK-ut) të shtrëngohej në fytin e korrupsionit, atë që tashmë Rama kishte informacion të sigurt se po i vjen dita, qoftë për vete apo bashkëpuntorët e afërt.
Por në këtë botë, karma, atë që e besojnë kryesisht ateistët, ose drejtësia hyjnore që e besojnë teistët, është një forcë e cila vjen ngadalë, nuk bën zë, përgatitet dhe të rrëzon pikërisht në momentin kur mendon se je më i fortë. Kur mendon rrejshëm se fuqia propaganduese e demonstruese e djallit mund të triumfojë heshtjen dhe mos-harresën e Zotit. Zjarri që po ndizet sot në Shqipërinë administrative u ndez për hebrenjtë e Zvërnecit, për të vazhduar pastaj në revoltën kundër korrupsionit, mafies, pabarazisë qytetare para ligjit dhe mundësive të pabarabarta. Ja pra, ironia e drejtësisë hyjnore, Zoti të fillon humbjen nga djalli që mendoje se do të marrësh mbrojtjen.

Të zuri haku i Gazës, o lumbardh, siç do të thoshte zhargoni zhgaravinë i Zeqinesë tënde deputete në Parlamentin e shtetit shqiptar, i atij parlamenti të Luigj Gurakuqit, Fan Nolit, Avni Rustemit, Aleksandër Xhuvanit, Ismail Kadaresë, Dhimitër Shuteriqit, i parlamentit të klerikut, juristit dhe publicistit Hoxhë Kadri Prishtinës, e me radhë kolosë të mendimit dhe angazhimit kombëtar. Largoju rrugës së qoftëlargut, zotëri Rama. Dëno gjenocidin izraelit, larg servilizmave për karrigen e pushtetit. Lësho veten dhe të tjerët para akteve të drejtësisë. Dëgjo dhe dakordohu me zërin e sovranit të vërtetë qe ka mbushur sheshet sot e disa muaj, si revolte mbipartiake për një të ardhme më të mirë. Ky është patriotizëm, dashuri ndaj atdheut, të pranosh gabimin dhe të shpëtosh kombin. Në të kundërtën do të bëhesh një Sali Berisha i dytë në historinë shqiptare, që dogji e poqi vetëm për karrigen e pushtetit dhe pasurisë, jo vetëm Partinë Demokratike, por gjithë Shqipërinë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume