Reshjet e dendura shkaktojnë tragjedi në Turqi, 3 persona të vdekur dhe 5 persona të zhdukur nga përmbytjet (VIDEO)
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të rënda në Stamboll, ku të paktën tre persona kanë humbur jetën, ndërsa katër të tjerë rezultojnë të zhdukur. Dalja e rrjedhave ujore nga shtretërit ka përmbytur banesa, objekte afariste dhe rrugë, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë evakuuar gjatë natës banorë nga zonat e rrezikuara.
Zyra e guvernatorit të Stambollit njoftoi se mes viktimave është një 34-vjeçar, i cili ndërroi jetë në spital pasi ishte rrëzuar dhe kishte goditur kokën në trotuar, teksa po përpiqej të kalonte rrugën. Një djalë 14-vjeçar humbi jetën si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike në ujërat e përmbytjes, në lagjen Fatih, raportoi CNN Turk.
Trupi i viktimës së tretë u gjet i bllokuar në një tra të një ure pranë parkut Sadabat, në lagjen Kagithane. Identifikimi i personit të ndjerë është në proces.
Gjatë natës, ekipet e shpëtimit ndërhynë në disa lokacione, duke evakuuar banorë dhe punëtorë që kishin mbetur të bllokuar në ndërtesat e përmbytura. Në operacionet e shpëtimit u përdorën makineri të rënda dhe varka.
Një nga zonat më të prekura është Kagithane, ku lumi me të njëjtin emër doli nga shtrati dhe përmbyti xhaminë historike Sadabat, oborrin e saj dhe ndërtesat përreth.
Pasojat e motit të keq u vunë re edhe përgjatë bregdetit të Bosforit. Në disa pjesë, uji i detit mori ngjyrë kafe për shkak të baltës që reshjet sollën nga toka. Ky ndryshim ishte veçanërisht i dukshëm pranë Eminönü-t, ndërsa uji i turbullt u përhap edhe në zonën përballë pallatit Topkapi.
Sipas Qendrës së Koordinimit të Emergjencave të Stambollit (AKOM), në lagjen Beykoz, nga mesnata e së martës deri në orën 07:30 të mëngjesit, u regjistruan 269,5 litra shi për metër katror.
Kryetari në detyrë i Bashkisë së Stambollit, Nuri Aslan, deklaroi për agjencinë Anadolu se qyteti u përball me një nga valët më të fuqishme të reshjeve të viteve të fundit. Në disa zona u regjistruan nga 130 deri në 273,1 litra shi për metër katror, ndërsa më të prekura ishin zonat përgjatë Bosforit dhe pjesët veriore të anës evropiane të qytetit.
Reshjet nisën të martën dhe u intensifikuan më tej mbrëmjen e kaluar. Shumë rrugë dhe nënkalime u përmbytën, automjete mbetën të bllokuara në ujë, ndërsa disa banorë nuk mundën të dilnin nga shtëpitë dhe vendet e tyre të punës.
Shërbimet e shpëtimit po vazhdojnë operacionet në terren, ndërsa institucionet përgjegjëse po vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga moti i keq dhe po vijojnë kërkimet për personat e zhdukur.
View this post on Instagram