Sami Morina është kryetari i ri i Këshillit drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP). Ai është zgjedhur në Kuvendin e VI-të zgjedhor të Odës, të cilën do të udhëheq në katër vitet e ardhshme.
Në kuvendin zgjedhor, për kryetar të Asamblesë është zgjedhur Salim Hasani, ndërsa zëvendës kryetar, Neim Fejzi. Gjithashtu u zgjodhën anëtarët e Këshillit drejtues dhe të Këshillit mbikëqyrës, me çka u kompletua struktura e re drejtuese e OEMVP-së. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe kryetari i nderit Xhemail Dauti, drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Durim Zekiri, si dhe ish-kryetari i Forumit ekonomik mbarëshqiptar, Nagib Fejzi.
Pas zgjedhjeve, kryetari Morina theksoi se menaxhimi me Odën në mandatin e ri do të synojë përforcimin e rolit të saj si përfaqësuese e zërit të komunitetit afarist dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e sektorit privat.
Me konstituimin e organeve të reja udhëheqëse, siç u tha nga OEMVP-së, Oda do të vazhdojë aktivitetet e saj në drejtim të përfaqësimit të interesave të anëtarëve të saj, inkurajimin e bashkëpunimit midis sektorit privat dhe institucioneve, si dhe promovimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe konkurrues për zhvillimin e biznesit.