Ejup Berisha

 

 

Për Hegelin diplomacia mund të kuptohej përmes konceptimit të tij të shtetit, historisë dhe marrëdhënieve midis fuqive. Hegeli nuk ka zhvilluar një “teori të diplomacisë” në kuptimin bashkekohor, por filozofia e tij politike ofron elementë të rëndësishme për ta kuptuar logjikën diplomatike. Për Hegelin, shteti është aktori qendror në politikën ndërkombëtare. Sipas tij cdo shtet e mbron pavarësinë, interesat dhe sovranitetin e tij. Prandaj, marrëdhëniet ndërkombëtare nuk bazohen vetëm në vullnetin e mire por ato janë gjithashtu të shënuara nga dinamika e fuqisë, interesat kombëtare dhe konfliktet e sovranitetit.Diplomacia ndërhyn pikërisht në këtë arenë të konfrontimit. Ajo kërkon të transformojë kontradiktën në negociata, ti parandalojë mosmarrëveshjet politike qe të çojnë domosdoshmërisht në luftë dhe t’u lejojë shteteve ti mbrojnë interesat e tyre përmes dialogut, negociatave dhe kompromiseve. Një koncept veçanërisht i rëndësishëm për Hegelin ishte ai i dialektikës. Një kontradiktë midis dy pozicioneve mund të prodhojë një situatë të re. Në një lexim diplomatik, kjo do të thotë që një konflikt interesash nuk duhet të shihet vetëm si një kundërshtim përfundimtar pra negociatat mund të kërkojnë një formulë të re që u lejon palëve të ruajnë interesat e tyre thelbësore ndërsa shkojnë përtej konfrontimit fillestar. Por, Hegeli mbetet realist në lidhje me politikën ndërkombëtare. Ai beson se shtetet nuk vendosen mbi veten e tyre nga një autoritet global i krahasueshëm me shtetin brenda një vendi. Kjo është arsyeja pse e drejta ndërkombëtare, traktatet dhe angazhimet diplomatike kanë një rëndësi të konsiderueshme, por zbatimi i tyre varet gjithashtu nga dinamika e fuqisë dhe vullneti i shteteve. Prandaj, vizioni Hegelian mund te përmblidhet me termet si shteti, sovraniteti, interesat, kontradiktat, bisedimet, tejkalimi i  kontradiktës dhe barazpesha e re. Nga kjo perspektivë, diplomacia nuk është thjesht arti i dialogut midis shteteve, por është një instrument politik për menaxhimin e kontradiktave midis sovraniteteve dhe për kërkimin e një rendi më të qëndrueshëm pa shtypur interesat specifike të secilit shtet. Kjo është gjithashtu arsyeja pse Hegeli mund të krahasohet me kujdes me elemente të caktuara të realizmit diplomatik. Rëndësia e shtetit, sovraniteti, interesi kombëtar, fuqia dhe konfliktet historike. Por Hegeli shkon më tej se realizmi klasik, sepse ai e konsideron historinë si një proces dialektik transformimi dhe ndryshimi, e jo thjesht si një konkurrencë e përhershme midis fuqive.

 

Si zhvilloheshin realisht marrdhëniet ndërkombëtare në kohën e Hegelit

 

Në atë kohë apo në periudhën prej vitit 1770 der në vitin 1831, marrëdhëniet ndërkombëtare zhvilloheshin kryesisht përmes fuqisë shtetërore, diplomacisë, luftërave dhe aleancave politike. Shtetet synonin të mbronin interesat kombëtare, të garantonin sigurinë dhe të zgjeronin ndikimin e tyre. Kongresi i Vjenës i vitit 1815 e dëshmoi rëndësinë e diplomacisë dhe të barazpeshimit të fuqisë në ruajtjen e rendit evropian. Sipas mendimit të Hegelit, shtetet janë sovrane dhe nuk ekziston një autoritet botëror që mund t’i detyrojë ato që gjithmonë ta respektojnë të drejtën ndërkombëtare. Thelbi i marrdhënieve ndërkombëtare mbështetet në ndërthurjen e fuqisë, interesave shtetërore, diplomacisë dhe së drejtës ndërkombëtare. Paqja kërkon jo vetëm marrëveshje, por edhe vullnet politik për ta respektuar atë.

 

A është trashëguar casja Hegeliane mbi shtetin dhe diplomacinë edhe në ditet e sotme?

 

Po kjo casje ka lënë gjurmë edhe në ditët e sotme.  Shteti sipas Hegelit, është institucioni themelor që e organizon jetën shoqërore dhe e realizon lirinë përmes ligjeve dhe institucioneve. Diplomacia edhe pse përsëris  Hegeli nuk krijoi një teori bashkëkohore të diplomacisë, mendimi i tij e vë theksin te sovraniteti i shteteve, marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe konfliktet ndërkombëtare. Në ditët e sotme kjo qasje shihet në rëndësinë që shtetet u japin interesave kombëtare, sovranitetit, fuqisë dhe pozitës së tyre në rendin ndërkombëtar. Pra trashëgimia hegeliane vazhdon të ndikojë në filozofinë politike dhe në kuptimin e shtetit, por diplomacia e sotme mbështetet edhe në shumë tradita të tjera teorike dhe praktike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume