Presidentja dhe komandantja supreme e Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova, sot iu drejtua të pranishmëve në shënimin e 17 Tetorit – Ditës së Komandës së Operacioneve, në kazermën “Boro Menkov” në Kumanovë.

Ajo theksoi rolin kyç të Komandës në mbrojtjen e shtetit, duke nënvizuar se gatishmëria operative bazohet në njohuri, disiplinë dhe aftësi për të vepruar në kohë.

Duke iu referuar rrënjëve historike, presidentja rikujtoi Kryengritjen e Kresnës të vitit 1878 dhe shtoi se detyrimi për mbrojtjen e atdheut mbetet i pandryshuar. Sipas saj, sfidat bashkëkohore, si lufta hibride, kërcënimet kibernetike dhe inteligjenca artificiale, kërkojnë modernizim të vazhdueshëm.

“Anëtarësimi në NATO është përcaktimi ynë strategjik, por edhe angazhim për respektimin e parimeve të mbrojtjes kolektive dhe solidaritetit. Me përmbushjen e detyrimeve të marra përsipër dhe harmonizimin me standardet e Aleancës,

Ushtria maqedonase dëshmoi se edhe një shtet i vogël mund të jetë aleat i besueshëm dhe kredibil”, theksoi Siljanovska-Davkova.

Në fjalimin e saj, ajo theksoi veçanërisht kontributin e ushtarëve në misionet paqeruajtëse, si dhe rolin e tyre human gjatë përballjes me fatkeqësitë natyrore dhe zjarret.

“Jo rastësisht, me rastin e Ditës së Ushtrisë, më 18 gusht, e dekorova Komandën e Operacioneve me ‘Urdhrin për Merita Ushtarake’. Ky vlerësim i lartë shtetëror vlerësoi suksesin tuaj të padiskutueshëm në ndërtimin dhe avancimin e kapaciteteve të ushtrisë”, tha presidentja.

Duke shprehur mirënjohje për profesionalizmin e të gjithë pjesëtarëve, ajo u shpreh: “Me Ju ndihemi të sigurt dhe të mbrojtur. Gëzuar 17 Tetorin – Ditën e Komandës së Operacioneve!”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume