Shkup, 24 tetor -Paga minimale neto në Maqedoninë e Veriut është rritur për 3.479 denarë gjatë periudhës 2024–2026, ndërsa VLEN vlerëson se kjo rritje dëshmon efektet e politikave ekonomike të ndërmarra gjatë mandatit aktual qeverisës. Duke iu referuar të dhënave të publikuara nga ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, nga VLEN theksojnë se rritja nominale e pagës minimale në dy vitet e fundit ka qenë 67 për qind më e lartë sesa ajo e regjistruar gjatë periudhës 2016–2018.

Sipas shifrave të prezantuara nga Durmishi, paga minimale neto në vitin 2024 ishte 22.567 denarë, në vitin 2025 arriti në 24.379 denarë, ndërsa në vitin 2026 është 26.046 denarë. Kjo paraqet një rritje nominale prej 3.479 denarësh, përkatësisht rreth 15,4 për qind krahasuar me nivelin e vitit 2024.

Në kumtesën e VLEN-it bëhet edhe një krahasim me periudhën 2016–2018, kur paga minimale ishte rritur nga 10.080 në 12.165 denarë, ose për gjithsej 2.085 denarë. Sipas koalicionit, rritja e regjistruar gjatë dy viteve të para të mandatit aktual është për 1.394 denarë më e madhe në vlerë nominale, që paraqet një dallim prej rreth 67 për qind.

Nga VLEN vlerësojnë se këto të dhëna tregojnë një ecuri pozitive në drejtim të rritjes së të ardhurave të punëtorëve, duke theksuar se përmirësimi i standardit jetësor mbetet një nga prioritetet kryesore të politikave ekonomike.

Nga kjo parti theksojnë se, pas publikimit të të dhënave për pagën mesatare, edhe shifrat për pagën minimale e rikthejnë në vëmendje çështjen e të ardhurave të punëtorëve dhe fuqisë së tyre blerëse. Sipas VLEN-it, rëndësi të veçantë ka që rritja ekonomike dhe politikat e pagave të reflektohen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, veçanërisht në mundësinë e familjeve për t’i përballuar shpenzimet e jetesës.

Megjithatë, rritja nominale e pagës minimale nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të njëjtë të fuqisë blerëse, pasi për këtë duhet të merret parasysh edhe inflacioni dhe ndryshimi i kostos së jetesës. Krahasimi i VLEN-it u referohet shumave nominale në denarë, jo rritjes reale të pagave. Nga VLEN theksojnë se do të vazhdojnë të mbështesin politikat që synojnë rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe forcimin e standardit jetësor. “Qëllimi është që të ardhurat e punëtorëve të vazhdojnë të rriten dhe përmirësimi ekonomik të ndihet drejtpërdrejt nga qytetarët”, është mesazhi që përcillet në kumtesën e VLEN-it.