80-vjeçarët presin më shumë se një muaj termin për vaksinën kundër gripit, ministri Klekovski nuk përgjigjet
Shumë qytetarë nga grupet e rrezikut, domethënë persona mbi 65 vjeç dhe persona me sëmundje kronike, presin më shumë se një muaj termin për vaksinën falas kundër gripit sezonal. Ata thonë se janë regjistruar rregullisht dhe kanë marrë njoftim se janë regjistruar, me shpjegimin që të klikojnë në një link të veçantë nëse ndryshojnë vendimin për vaksinimin, por termin nuk e kanë marrë.
«Kërkova edhe herën e dytë që të më regjistrojnë sepse nuk mora termin. Unë prej vitesh e marr këtë vaksinë. Deri tani vaksinimi ka qenë gjithmonë në tetor, ndërsa tani po mbaron edhe nëntori. Ministri vazhdimisht siguron se ka vaksina për të gjithë, dua t’i besoj ashtu siç i kam besuar deri tani, por është e pamundur», thotë një 80-vjeçare nga Shkupi, e cila tashmë po mendon të shkojë për vaksinë në ndonjë nga vendet fqinje.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, prej dhjetë ditësh nuk u përgjigjet pyetjeve të agjencisë së lajmeve «Makfax» se pse qytetarët e regjistruar nuk marrin termin për vaksinimin. Ai vazhdimisht flet për shifrën e 80.000 vaksinave që këtë vit do të jenë në dispozicion për grupet e rrezikut. Ai u mburr se ka mbërritur edhe turi i dytë me 26.000 vaksina, kështu që së bashku me turin e parë që erdhi në tetor me 30.000, tashmë ka vaksina për 56.000 qytetarë, por sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, që i referohet datës 22 nëntor, janë vaksinuar gjithsej 33.594 persona. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Ministria, për vaksinë, deri më 23 nëntor, janë regjistruar gjithsej 79.011 persona.
Instituti i Shëndetit Publik sot njoftoi se për një javë ka 188 të sëmurë të rinj nga gripi, që do të thotë rritje e numrit me 22,1 % në krahasim me javën e kaluar, por edhe pse ka rritje, vihet re aktivitet i ulët i gripit në nivel kombëtar.