Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i është drejtuar me një letër të hapur ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me të drejtën e studentëve shqiptarë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Ahmeti thekson se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e garanton këtë të drejtë dhe kërkon nga Ministria e Drejtësisë zbatimin e plotë të tij.

Në letër, ai kundërshton mundësinë që provimi të zhvillohet pjesërisht në shqip dhe pjesërisht në maqedonisht, duke e cilësuar një zgjidhje të tillë si cenim të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.

“Ta paraqesësh degradimin e gjuhës shqipe si përparim është akt tradhtie ndaj shqiptarëve!”, thekson Ahmeti, duke kundërshtuar çdo përpjekje për kufizimin e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.

Ai gjithashtu kërkon që Komisionit të Venecias t’i prezantohet gjendja e plotë juridike dhe jo një zgjidhje që, sipas tij, kufizon të drejtat e garantuara me ligj.

Në fund të letrës, Ahmeti u drejtohet edhe SHBA-së, BE-së, NATO-s, si dhe autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë, duke kërkuar angazhim për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Ne nuk kërkojmë privilegj. Kërkojmë zbatimin e ligjit”, përfundon Ali Ahmeti.