Muhamed Zekiri – TetovaSot

Debati për Alta Bank në Maqedoninë e Veriut është përqendruar kryesisht te një pyetje: kush e lejoi hyrjen e kapitalit serb në tregun bankar të vendit? Por, çuditërisht, askush nuk po e shtron pyetjen shumë më të rëndësishme: Pse që nga pavarësimi i shtetit, investitorë të huaj nga vende të ndryshme kanë mundur të bëhen pronarë bankash në Maqedoni, ndërsa shqiptarët nuk kanë arritur të kenë një mundësi të tillë?

Kapitali i huaj ka gjetur gjithmonë rrugë për të hyrë në sektorin bankar të vendit. Kemi slloven, kemi grek, serb e turq por shqiptar jo s’mundet.

A është kjo rastësi apo një problem më i thellë ekonomik dhe institucional?

Kryeministri Hristijan Mickoski, duke arsyetuar hyrjen e kapitalit serb, deklaroi se duhet imagjinuar sikur Serbia të mos lejonte kompanitë maqedonase të investonin në tregun e saj.

Por, zoti Mickoski, a keni menduar ndonjëherë se pikërisht shteti që ju drejtoni nuk ka krijuar një realitet të barabartë për investitorët shqiptarë në sektorin bankar? Nëse kompanitë maqedonase duhet të kenë mundësi të investojnë në Serbi, pse afaristët shqiptarë nuk duhet të kenë të njëjtën mundësi në vendin e tyre?

Madje, sapo përmendet mundësia që një biznesmen shqiptar, si Fatmir Etemi, të shfaqë interesim për blerjen e Alta Bank, menjëherë ngrihen dyshime dhe komente nga qarqe të partisë së kryeministrit. Natyrisht, çdo investitor duhet t’i plotësojë të njëjtat kritere ligjore dhe financiare, por askush nuk duhet të paragjykohet për shkak të përkatësisë së tij etnike.

Ndërkohë, partitë shqiptare vazhdojnë përplasjen mes vete. VLEN akuzon BDI-në, BDI akuzon VLEN-in, duke u përpjekur të dëshmojnë se kush mban përgjegjësi për hyrjen e Alta Bank në vend.

Por duket se këto partitë tona po harrojn një fakt thelbësor: as BDI dhe as VLEN, si parti politike, nuk vendosin se kush bëhet pronar i një banke. Miratimet dhe vendimet përkatëse i marrin institucionet kompetente të shtetit gjegjësishte krerët e partive maqedonase bartëse të pushtetit.

Për dekada me radhë, këto vendime janë marrë në periudhat kur pushtetin e kanë udhëhequr partit e ndryshme maqedonase: dikur në kohën e Branko Cërvrnkovskit, Nikolla Gruevskit, më pas të Zoran Zaevit dhe sot të Hristijan Mickoskit. Prandaj, nuk ka kuptim që partitë shqiptare të përplasen pafundësisht për të përcaktuar se në cilën periudhë është hapur rruga për Alta Bank, duke lënë anash pyetjen se pse asnjëra prej tyre nuk e ka ngritur seriozisht çështjen e pjesëmarrjes së kapitalit shqiptar në sektorin bankar.

Vendimi i vitit 2023 dhe procedurat e vitit 2025 kanë përmbajtje dhe përgjegjësi që duhen sqaruar. Por kjo nuk duhet të shndërrohet në një betejë të pafundme mes BDI-së dhe VLEN-it, ndërkohë që çështja thelbësore mbetet pa përgjigje.

Bankat nuk janë vetëm institucione ku qytetarët marrin kredi dhe ruajnë kursimet. Ato janë pjesë e fuqisë ekonomike të një vendi. Prandaj, përfaqësimi i shqiptarëve nuk duhet të matet vetëm me numrin e ministrave, drejtorëve dhe funksionarëve, por edhe me pjesëmarrjen reale në pronësi, investime dhe sektorë strategjikë të ekonomisë.

A do të vetëdijesohen ndonjëherë partitë shqiptare se interesi i shqiptarëve nuk mbrohet duke numëruar fajtorët mes vete, por duke kërkuar mundësi të barabarta ekonomike?

Sepse pyetja nuk është vetëm kush e solli Alta Bank në Maqedoni. Pyetja është: Kur do të vijë dita që edhe një shqiptar të mund të bëhet pronar i një banke në këtë shtet, pa u trajtuar kjo si problem apo kërcënim politik?

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume