Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim të mirë në Kapitullin 10 – Transformimi Digjital dhe Mediat, ndërsa niveli i gatishmërisë së vendit në këtë fushë është vlerësuar nga Komisioni Evropian si mesatar deri në të mirë. Kështu deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, gjatë një konference për media, ku prezantoi rezultatet kryesore të Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026.

Sipas Andonovskit, ky vlerësim paraqet një hap përpara krahasuar me vitet e kaluara. Në periudhën 2021–2024, vendi ishte vlerësuar me “përparim të kufizuar”, ndërsa në vitin 2025 me “përparim të caktuar”. Vlerësimi i këtij viti, sipas tij, dëshmon rezultatet e reformave të ndërmarra në sektorin e transformimit digjital.

Duke folur për shërbimet elektronike për qytetarët dhe bizneset, ministri bëri të ditur se deri në fund të gushtit, në Portalin Kombëtar ishin të qasshme gjithsej 338 shërbime. Ai theksoi se synimi i radhës është digjitalizimi i plotë i procedurave, në mënyrë që qytetarët të mund të kryejnë të gjitha veprimet online, nga aplikimi deri te marrja e dokumenteve, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në institucione.

Një tjetër prioritet i rëndësishëm është ndërveprueshmëria ndërmjet institucioneve, që nënkupton shkëmbimin e drejtpërdrejtë të të dhënave mes tyre.

“Institucionet duhet të shkëmbejnë të dhëna. Nuk duhet t’i kërkojmë qytetarit të jetë ndërmjetës mes dy institucioneve shtetërore”, deklaroi Andonovski.

Përmirësime janë evidentuar edhe në sistemin e menaxhimit elektronik të dokumenteve. Sipas raportit të Komisionit Evropian, deri në fund të qershorit të vitit 2026, sistemin qendror për menaxhimin dhe arkivimin elektronik të dokumenteve (eDMS) e kanë përdorur 44 institucione.

Ministri theksoi se përmes këtij sistemi synohet që i gjithë procesi administrativ të zhvillohet në mënyrë elektronike, duke përfshirë pranimin, shpërndarjen, përpunimin, nënshkrimin dhe arkivimin e dokumenteve.

“Kërkesa mund të arrijë në mënyrë elektronike, por nëse më pas shtypet, bartet nga një zyrë në tjetrën dhe pritet nënshkrimi fizik, procedura mbetet e ngadaltë. Me eDMS punojmë në të gjithë rrjedhën e lëndës: pranimin, shpërndarjen, trajtimin, nënshkrimin dhe arkivimin”, u shpreh Andonovski.

Ai gjithashtu njoftoi se gjatë muajve në vijim pritet që në këtë platformë të përfshihen edhe 20 institucione të tjera.

Sipas ministrit, synimi është që përdorimi i sistemeve elektronike të bëhet pjesë e përditshme e funksionimit të administratës publike, duke rritur efikasitetin, transparencën dhe përgjegjësinë institucionale, si dhe duke mundësuar përcjelljen më të lehtë të statusit të çdo lënde.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume