Arkin Jahiji, kryetari i zgjedhur i Komunës së Bërvenicës, nesër në orën 11:00 do të pranojë zyrtarisht mandatin nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.
Lajmi është bërë i ditur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), përmes një njoftimi drejtuar mediave.
„Ju informojmë se nesër në orën 11:00 do të bëhet pranimi i mandatit nga ana e kryetarit të Komunës së Bërvenicës, z. Arkin Jahiji, pranë Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Bërvenicës”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Ndërkohë, Jahiji ka ndarë edhe një mesazh publik, duke bërë të ditur se pas dy muajsh angazhimesh intensive, të dielën e ka shfrytëzuar për të kaluar kohë me familjen, ndërsa nga nesër nis zyrtarisht detyrën e re.
„Pas dy muajsh të ngarkuar me përkushtim, një e diel e qetë pranë familjes. Nga nesër, në krye të detyrës, me përgjegjësi, përkushtim dhe energji të reja”, ka shkruar Jahiji.
Në fund, ai u ka përcjellë qytetarëve urime për paqe, shëndet dhe harmoni në familjet e tyre.