Ministria e Arsimit ka publikuar rezultatet e bursave për vitin shkollor 2026/2027.

Nga gjithsej 817 bursa, vetëm 80 i kanë fituar nxënësit shqiptarë. Pra, më pak se 10 për qind.

Por shikoni dy kategori që janë edhe më shqetësuese.

Nga 50 bursa për nxënës të talentuar, asnjë shqiptar.

Nga 150 bursa për nxënës të talentuar në art, vetëm 4 shqiptarë.

Pas reagimit tonë, zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, doli të na shpjegojë se bursat ndahen sipas kritereve, e jo sipas përkatësisë etnike.

Po kush tha se duhet të ndahen sipas përkatësisë etnike? Askush nuk kërkoi një gjë të tillë.

Ne po pyesim diçka krejt tjetër: Si është e mundur që nga 50 nxënës të talentuar, asnjëri të mos jetë shqiptar?

A është analizuar pse ka dalë ky rezultat? Sa shqiptarë kanë aplikuar? Sa janë refuzuar? Për çfarë arsye janë refuzuar? A kanë pasur të gjithë mundësi të barabarta?

Këto janë pyetjet të cilave duhet t’u përgjigjet Ministria.

Dhe në vend që zëvendësministri të kërkojë këto përgjigje, ai del të na bindë se gjithçka është në rregull.

Driton Sulejmani duhet ta kuptojë se nuk është emëruar zëvendësministër për të na shpjeguar vendimet e ministrit, por për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për të mbajtur përgjegjësi për to.

Nëse mendon se gjithçka është në rregull, le t’i publikojë të dhënat dhe të na bindë me fakte.

Ne kërkojmë nga Ministria e Arsimit që të publikojë numrin e aplikantëve sipas kategorive, rezultatet e vlerësimit dhe arsyet e refuzimit, duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale.

Kërkojmë gjithashtu që të shqyrtohet nëse kriteret dhe mënyra e vlerësimit u kanë siguruar të gjithë nxënësve mundësi të barabarta.

Sepse nuk mund të dalësh para opinionit, të thuash se gjithçka është sipas kritereve, dhe të mendosh se me kaq e ke përfunduar punën.

Ne nuk po kërkojmë që të shpallen fitues nxënësit shqiptarë pa i plotësuar kriteret. Po kërkojmë të dimë pse rezultati është kaq disproporcional dhe nëse procedura ka qenë e drejtë.

Kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit dhe e të gjithë atyre që e udhëheqin atë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume