Në Deklaratën e Brukselit, të miratuar në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 25 nëntor, Bashkimi Evropian ka përsëritur se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon t’i pengojë të dyja palët në rrugën drejt integrimit evropian.

BE-ja ka kërkuar angazhim konstruktiv në dialog dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura.

“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun Beograd–Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja”.

“Ne i inkurajojmë të dy partnerët që të shfrytëzojnë momentumin aktual politik për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në Dialog dhe për të bërë progres konkret, pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura”, thuhet në këtë deklaratë.

Ndër të tjera, Bashkimi Evropian ka riafirmuar përkushtimin për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, por ka bërë të qartë se përparimi drejt këtij synimi mbetet i kushtëzuar nga reformat, sundimi i ligjit dhe përmbushja e detyrimeve të marra nga secili partner.

Në dokument, BE-ja ka theksuar se e ardhmja e rajonit është brenda Bashkimit Evropian, duke e cilësuar zgjerimin si investim strategjik në paqen, sigurinë dhe stabilitetin e Evropës.

Njëkohësisht, Brukseli ka rikujtuar se mbështetja financiare përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor është e kushtëzuar nga angazhimi konstruktiv i palëve dhe rezultatet e matshme në procesin e normalizimit.

Përveç dialogut, deklarata përmban edhe kërkesa të qarta për vendet e rajonit në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore.

BE-ja ka kërkuar reforma të besueshme, institucione demokratike funksionale, liri të shprehjes dhe media të pavarura e pluraliste. Në dokument theksohet gjithashtu rëndësia e barazisë gjinore dhe rolit të shoqërisë civile.

Një tjetër çështje e ngritur është trajtimi i së kaluarës dhe përgjegjësia për krimet e luftës.

Liderët evropianë kanë theksuar se glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat themelore evropiane. Ata u kanë bërë thirrje vendeve të rajonit që të respektojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendase për krimet e luftës, si dhe të punojnë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Në aspektin e politikës së jashtme, BE-ja ka përgëzuar partnerët e Ballkanit Perëndimor që janë përafruar plotësisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje edhe vendeve të tjera që të ndjekin të njëjtën rrugë.

Dokumenti trajton edhe raportet e rajonit me Rusinë, duke riafirmuar mbështetjen e BE-së për Ukrainën përballë agresionit rus dhe duke vlerësuar mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë drejtim.

Në pjesën ekonomike, BE-ja ka vënë në pah rëndësinë e integrimit gradual të vendeve të rajonit në tregun e vetëm evropian. Ndër çështjet e përmendura janë zgjerimi i zonës së roamingut pa tarifa shtesë, integrimi në sistemin SEPA, pagesat e menjëhershme dhe lehtësimi i procedurave tregtare.

Sa i përket mbështetjes financiare, Bashkimi Evropian ka rikujtuar se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor parasheh deri në gjashtë miliardë euro për reforma dhe investime gjatë dekadës së ardhshme, krahas 29 miliardë eurove të parapara përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve.

Në deklaratë, BE-ja ka kërkuar që vendet e rajonit të përshpejtojnë zbatimin e reformave, duke theksuar se përfitimi nga këto fonde varet drejtpërdrejt nga përmbushja e obligimeve të përcaktuara.

Në fund, liderët e Bashkimit Evropian kanë mirëpritur përafrimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor me Deklaratën e Brukselit.

Deklarata vjen në një periudhë kur procesi i zgjerimit të BE-së dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten ndër çështjet kryesore të agjendës politike evropiane.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume