“A mund të na citoni nenin, paragrafin dhe dispozitën konkrete të Kushtetutës?”

Bekim Fazliu, përfaqësues i Lëvizjes Arbëria, ka reaguar ndaj pretendimeve për gjuhën e mësimdhënies në arsimin e lartë, duke i drejtuar një pyetje kryeministrit Hristijan Mickoski: ku përcaktohet në Kushtetutë se mësimi në universitetet duhet të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase?

Në reagimin e tij, Fazliu kërkon që Mickoski të citojë nenin, paragrafin dhe dispozitën konkrete kushtetuese që e përcakton këtë.

“Hiqni dorë nga mendësia e vjetër dhe mos e gënjeni veten se jeni pronarë të shtetit! Sa më shpejt ta kuptoni se barazia është e vetmja zgjidhje, aq më mirë për ju dhe për këtë sajesë të quajtur shtet!”, shkruan Fazliu.

Ai thekson se Kushtetuta nuk përcakton shprehimisht se mësimdhënia në arsimin e lartë duhet të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa kritikon edhe formulimin kushtetues për gjuhën e përdorur nga mbi 20 për qind e qytetarëve, duke e cilësuar atë si përçmues dhe stigmatizues.

Në fund të reagimit, Fazliu e vë në pikëpyetje edhe vetë formulimin kushtetues, duke e cilësuar Kushtetutën si të mbushur me labirinte dhe paqartësi.