Urim Saliu
Fitorja e Arkin Jahijit nuk ishte vetëm një fitore e një kandidati. Ishte një mesazh politik i votuesve.
Në Bërvenicë, qytetarët treguan se, kur e shohin se rezultati është në rrezik, dinë të bashkohen. Ata nuk pritën që partitë t’u tregojnë se çfarë duhet të bëjnë. Vendimin e morën vetë në kutinë e votimit.
Kjo nuk ndodhi rastësisht. Bërvenica e kishte provuar edhe anën tjetër. Kur votuesit shqiptarë ishin të zhgënjyer nga kryetarët shqiptarë dhe nga partitë që e kanë qeverisur ndër vite, mungesa e unitetit bëri që komuna të drejtohej nga një kandidat maqedonas. Ai ishte mësimi që shumë nuk e harruan.
Këtë herë dinamika ishte ndryshe. Sa më shumë që fushata u shndërrua në përplasje politike dhe etnike, aq më shumë u mobilizua elektorati. Historia ka treguar se kur njerëzit ndihen të sulmuar mbi baza etnike, reagimi i tyre në shumë raste është po ashtu etnik, duke u bashkuar rreth kandidatit që e shohin si përfaqësues të komunitetit të tyre.
Në këtë mobilizim ndikoi edhe retorika e VMRO-DPMNE-së, e cila, sipas shumë vlerësimeve, kontribuoi në rritjen e pjesëmarrjes dhe aktivizimin e votuesve. Në fund, rezultati ishte një bashkim më i madh i elektoratit shqiptar rreth Arkin Jahijit.
Por zgjedhjet tani kanë përfunduar.
Nga ky moment, kryetari i ri nuk është më kryetar vetëm i atyre që e votuan. Ai është kryetar i të gjithë qytetarëve të Bërvenicës , shqiptarë, maqedonas, turq, romë dhe të gjithë të tjerëve që jetojnë në këtë komunë. Sfida e tij nuk është të fitojë zgjedhje të tjera, por të fitojë besimin e të gjithë qytetarëve përmes punës, transparencës dhe rezultateve.
Bërvenica dha një mesazh në zgjedhje. Tani pret një mesazh tjetër m atë të qeverisjes së mirë. Në fund të fundit, komunat nuk ndërtohen me fushata, por me punë.