Aktori i mirënjohur shqiptar, Çun Lajçi, i cili sot do të jetë pjesë e manifestimit qendror të organizuar nga Komuna e Çairit në Sheshin “Skënderbeu”, ka ndarë një shkrim artistik kushtuar Ditës së Flamurit, përmes të cilit fton shqiptarët të festojnë së bashku në Shkup, pranë shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në 20-vjetorin e vendosjes së saj.

Në një pjesë të shkrimit të tij, Lajçi shprehet:

“Dhe sot, kur po binte shi me fluska bore, u bana gati me ra në Tiranë. Por jo! Idriz Seferi e tundi dorën në Kaçanik:

— Nisu për Shkup! Te Gjergj Kastrioti shko, aty thirr: Çoje kryet, shqiptari im! Se njimijë vjet këtë tokë e ujisim me gjak, njimijë vjet këtë tokë e mbjellim me eshtnat tonë!

Te Gjergji thirri shqiptarët që të festojnë. Ejani këtu, se sot Gjergji nuk duhet me qenë vetëm. Asht Nantori i Tretë dhe kjo festë duhet me u ba ushtimë malesh!

S’kam kohë me folë ma. Po nisem. Kush don, mundet me ardhë me mue; kush priton, le të shkojë në Shqipni me djalin tim Leartin, se flamujt po valviten në të gjitha anët!

Rrnoftë Shqipnia!

28.11.2026”

Komuna e Çairit ju fton që sot, duke filluar nga ora 13:30, të bëheni pjesë e manifestimit qendror “20 Vjet Krenari”, ku krahas paraqitjes artistike të Çun Lajçit, do të kemi edhe koncertin e këngëtares së mirënjohur Edona Llalloshi.

Ju mirëpresim në Sheshin “Skënderbeu” për të festuar së bashku 28 Nëntorin! 🇦🇱

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume