Dimitrieska-Koçoska: Ministria e Financave nuk kishte absolutisht asnjë përfshirje gjatë përvetësimit të ALTA Bankës
Ministria e Financave nuk kishte absolutisht asnjë përfshirje gjatë përvetësimit të bankës, as si Ministri e Financave nuk ndihmuam që të realizohej shitja dhe pronari të merrte shumicën e aksioneve, theksoi Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në kuadër të debatit mbikëqyrës në Kuvend, kushtuar arsyeve për vendosjen e administrimit të ALTA Bankës SHA Manastir, rolit dhe veprimeve të Bankës Popullore dhe përgjegjësisë institucionale.
Ajo kujtoi procedurat e ndërmarra nga Banka Popullore, Komisioni i Letrave me Vlerë deri në shpalljen e ofertës publike më datë 11 shtator dhe ku më datë 23 shtator, duke pasur parasysh ofertën publike të Qeverisë, u diskutua nëse ka institucione të caktuara në vend që kanë aksione në këtë bankë.
“Më datë 1 shtator, Banka Popullore dha pëlqimin paraprak për pjesëmarrje të kualifikuar. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që deri më datë 1 shtator, e gjithë procedura në lidhje me licencimin e individëve, bankave ose çdo personi fizik, kishte përfunduar. Më datë 10 shtator, Komisioni i Letrave me Vlerë dha leje për ofertën publike për përvetësimin, e cila ishte ofertë publike për përvetësimin, përkatësisht oferta publike dhe prospekti, u shpallën më datën 11 shtator.
Në ofertën publike dhe në prospektin e shpallur është përcaktuar një datë deri në të cilën çdo person i interesuar për shitjen e aksioneve ka detyrimin ta bëjë këtë, përkatësisht deri më datë 10 tetor, që do të thotë se nuk ka absolutisht asnjë lidhje me pretendimet e mëparshme se procesverbali kishte të bënte me data të caktuara, por ekskluzivisht me datën e përcaktuar në njoftimin publik, i cili është shpallur sërish në Bursën e Maqedonisë. Më 19 shtator kemi shpallur njoftim në Gazetën Zyrtare, sipas të cilit pronari ka fituar mbi 74% të pronësisë, ndonëse pragu i suksesit në atë periudhë ishte 70%. Pra, deri në këtë moment, procedura është zhvilluar me përfshirjen e Bankës Popullore, Komisionit të Letrave me Vlerë dhe bankës së interesuar, ndërsa tashmë kemi edhe njoftimin në Gazetën Zyrtare se shitja ka përfunduar me sukses”, sqaroi ministrja.
Ajo iu referua gjithashtu informacionit të paraqitur në mbledhjen e Qeverisë, në të cilin Ministria e Financave ka sqaruar procedurën, duke theksuar se duhet të merret parasysh fakti që bëhet fjalë për një periudhë zgjedhore. Me këtë rast, ajo iu referua edhe procesverbalit të mbledhjes së Qeverisë.
Ministrja përsëriti se pika kyçe është fakti që Ministria e Financave nuk kishte absolutisht asnjë pjesëmarrje në përvetësimin e bankës, blerjen, e cila përfundoi më 19 shtator dhe është shpallur në Gazetën Zyrtare, nga e cila ne në Ministri në fakt morëm informacionin, dhe bazuar në këtë, filluan procedurat për të parë nëse shteti së pari ka ndonjë pronësi dhe për të paralajmëruar se kemi zgjedhje dhe se ata nuk kanë mundësi të kryejnë shitjen”, theksoi ministrja.
Ajo përfundoi se sa i përket kompetencës si Ministri e Financave, Ministria nuk ka absolutisht asnjë kompetencë në të gjithë procedurën e shitjes, sepse ne, përveç përgatitjes dhe propozimit të ligjit, i cili miratohet në Kuvend përmes Qeverisë, në situatën specifike nuk kemi kompetencë sepse i gjithë kontrolli, supervizimi dhe mbikëqyrja e operacioneve bankare kryhet nga Banka Popullore.