10 nëntor 2026, Shkup – Plotësimi i ribalancit të buxhetit për vitin 2026 është reagim në kohë ndaj rrethanave të reja ekonomike, pasojave të pasigurisë globale dhe efekteve ndaj ekonomisë së vendit. Përgjegjësia e Qeverisë është të reagojë në kohë, t’i përshtatë politikat ekonomike me realitetet e reja, njëkohësisht duke ruajtur stabilitetin e financave publike dhe duke siguruar funksionimin e pandërprerë të shtetit.

Këtë e theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska në ekspozen e saj për Propozimin e plotësimit për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026, i cili sot, është në rend dite në seancën e Kuvendit, duke theksuar se ndryshimet dhe plotësimet në Buxhet kanë për qëllim sigurimin e stabilitetit në Buxhet deri në fund të vitit dhe sigurinë për qytetarët dhe ekonominë.

Me ribalancin, siç theksoi ministrja, bëhen përshtatjet e nevojshme të të ardhurave dhe shpenzimeve, me ç’rast u morën parasysh rrjedhat reale ekonomike dhe nevojën për menaxhim racional, efikas dhe të përgjegjshëm të mjeteve publike.

“Kjo do të thotë disiplinë më e madhe buxhetore, planifikim i kujdesshëm i shpenzimeve dhe optimizim maksimal i të ardhurave, pa vënë në dyshim përmbushjen e rregullt të detyrimeve të shtetit. Ajo që është më e rëndësishme për opinionin publik dhe qytetarët është se ribalanci i buxhetit nuk është për shkak të problemeve me likuiditetin e Buxhetit, por është pasojë e masave të ndërmarra nga Qeveria për të ulur TVSH-në dhe akcizat për benzinën dhe naftën.

Me masat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në anën e të ardhurave të Buxhetit, kemi mbështetur standardin jetësor të qytetarëve, kemi ndihmuar ekonominë, si dhe kemi parandaluar reflektimin e çmimeve të larta të naftës ndaj produkteve dhe shërbimeve të tjera”, theksoi ministrja.

Ajo theksoi se deri në fund të vitit arka e shtetit është stabile dhe se është siguruar financimi për të gjitha detyrimet – pagat, pensionet, pagesën e kompensimeve sociale, detyrimet ndaj ekonomisë, si dhe shlyerjen e borxheve që maturohen.

Me Ribalancin e plotësuar të Buxhetit, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në vlerë prej 374.2 miliardë denarësh, ose rreth 5.3 miliardë denarë më pak krahasuar me projeksionet për vitin 2026. Njëkohësisht, është bërë korrigjim në rënie në të njëjtin nivel edhe në anën e shpenzimeve, me ç’rast shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 420.5 miliardë denarësh. Ndërkaq, deficiti buxhetor mbetet në nivelin prej 46.3 miliardë denarësh.

Me këtë ribalanc janë siguruar mjete shtesë në vlerë prej 3.7 miliardë denarësh për transferta sociale, nga të cilat 1.4 miliardë denarë janë dedikuar për kompensime sociale dhe 887 milionë denarë shtesë për mbrojtje shëndetësore.

Për Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve janë siguruar 1.8 miliardë denarë shtesë për kategoritë më të cenueshme, ndihmën sociale, kuzhinat popullore dhe shërbimet sociale. Po ashtu, 600 milionë denarë shtesë edhe për pagesën e rregullt dhe në kohë të kompensimeve të lehonisë.

“Mbrapa këtyre zërave dhe numrave qëndrojnë qytetarët tanë dhe ata për ne janë prioritet, prandaj në përbërjen e ndryshimeve kemi përfshirë zëra aty ku ka pasur vonesa në realizimin dhe shfrytëzimin e mjeteve. Gjithashtu kemi bërë korrigjimin e shpenzimeve kapitale, por krahas tyre është mbajtur edhe komponenti i zhvillimit dhe vendosmëria e shtetit për të mbështetur më tej aktivitetin ekonomik përmes investimeve publike”, tha ministrja e Financave dhe shtoi se do të vazhdohet edhe më tutje me investimet në mbrojtje, në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën komunale, mjedisin jetësor, efikasitetin energjetik , arsimin, mbrojtjen dhe kujdesin social të fëmijëve, bujqësinë dhe infrastrukturën lokale.

Me ribalancin vijon edhe përkrahja financiare për komunat dhe projektet infrastrukturore kapitale në nivel lokal, si pjesë e politikës për zhvillimin e barabartë rajonal.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume