Dimitrieska-Koçoska: Stabiliteti i sistemit financiar është thelbësor për besimin e qytetarëve dhe kompanive, si dhe për funksionimin e pandërprerë të ekonomisë
Për Qeverinë dhe Ministrinë e Financave, prioritete thelbësore mbeten zbatimi i politikës fiskale të përgjegjshme, me konsolidim gradual fiskal, ruajtja e stabilitetit makroekonomik, nxitja e investimeve dhe sigurimi i qëndrueshmërisë afatgjate të financave publike. Këtë mesazh e përcolli ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, gjatë fjalimit të saj në edicionin e 13-të të Erste Investors Breakfast, i cili u mbajt sot në Shkup, në organizimin e Grupacionit Erste dhe Bankës Shparkase.
Ajo theksoi se në kushte të pasigurisë globale, rëndësi të veçantë kanë stabiliteti, parashikueshmëria dhe aftësia e institucioneve për krijimin e kushteve për zhvillimin ekonomik afatgjatë. Prandaj edhe përcaktimi ynë është që financat publike të jenë në funksion të rritjes ekonomike dhe njëkohësisht që kjo rritje të jetë e qëndrueshme, e bazuar në produktivitet, konkurrueshmëri dhe baza të qëndrueshme ekonomike.
“Në arritjen e këtyre qëllimeve, sektori financiar ka rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Bankat nuk janë vetëm ndërmjetësues midis kursimeve dhe investimeve. Ato janë partnerë të rëndësishëm në financimin e kompanive, përkrahjen e sipërmarrësisë, modernizimin e ekonomisë dhe realizimin e projekteve të reja investuese”, theksoi ministrja, duke shtuar se, pikërisht për këtë arsye, është në interesin e përbashkët që sektori financiar të zhvillohet më tej, duke qenë stabil, konkurrues, inovativ dhe i aftë për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë moderne. Sipas ministres, është veçanërisht e rëndësishme që burimet financiare të destinohen drejt investimeve produktive, zhvillimit teknologjik, digjitalizimit, efikasitetit energjetik dhe rritjes së konkurrueshmërisë së kompanive vendase.
Ajo porositi se Ministria e Financave duhet të jetë e përkushtuar në avancimin e vazhdueshëm të kornizës ligjore dhe në përforcimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e sistemit financiar dhe të qytetarëve.
“Stabiliteti i sistemit financiar ka rëndësi të jashtëzakonshme për besimin e qytetarëve dhe kompanive, si dhe për funksionimin e pandërprerë të ekonomisë. Prandaj, është e nevojshme që të gjitha institucionet kompetente të jenë më profesionale, të përgjegjshme dhe të koordinuara”, tha ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.