Do të ishte gabim i madh nëse vendoset të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në kushte kur ekziston një krizë e madhe gjeopolitike, me disa luftëra të mëdha dhe turbulenca në tregun e energjisë, do të ishte luks që shteti për gjashtë muaj të mbetet me institucione jofunksionale, gjë që do të ndodhte nëse do të shpalleshin zgjedhjet.
“Prioriteti më i lartë është që shteti të mos hyjë në zgjedhje, në të cilat zgjedhjet do të mbaheshin dhe organizoheshin vetëm sa për t’u mbajtur. Nuk janë të nevojshme, të jemi realistë, të gjithë ne që kemi pak më shumë përvojë politike, as pushtetit dhe as opozitës nuk u përshtaten zgjedhjet e parakohshme, por u përshtaten ekskluzivisht zgjedhjet e rregullta, si në kampin politik maqedonas, ashtu edhe në atë shqiptar”, tha Imer Selmani.
Ish-deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe funksionari i lartë partiak, Ilija Dimovski, thotë se koalicioni aktual qeveritar është mjaft stabil. Për këtë arsye, thotë ai, nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.
“Debatin që e kemi pasur gjatë këtyre gjashtë muajve të fundit, nëse do të ketë zgjedhje në pranverë apo nuk do të ketë, duhet ta përfundojmë. Të konstatojmë se mesazhet janë të qarta, si nga VLEN ashtu edhe nga VMRO-DPMNE, se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme pranverën e ardhshme dhe se shteti, për herë të parë pas një kohe të gjatë, do të shkojë në zgjedhje të rregullta në vitin 2028. Se si do ta shfrytëzojë këtë opozita, pjesa maqedonase, do ta shohim”, tha Ilija Dimovski.
Por shtrohet edhe pyetja nëse në Maqedoni ekziston një opozitë funksionale, e cila vazhdimisht do ta ushtronte presionin ndaj pushtetit për përmbushjen dhe realizimin e premtimeve të dhëna para zgjedhjeve. Por edhe nëse Venko Filipçe është njeriu i duhur për ta rikthyer fuqinë politike dhe trupin votues të LSDM-së.
“Përgjigjja ime është absolutisht jo. Absolutisht jo. Do ta them përsëri, ky nuk është mendimi im, kjo është e dukshme, po e përsëris, pasi që e kemi temën në tryezë, ky është qëndrimi i opinionit publik. Nuk mendoj se tema e konsolidimit është definuar siç duhet, sepse konsolidimi nënkupton se duhet të keni një bazë të shëndoshë mbi të cilën mund të rriteni. Mendoj se duhet një rishikim i plotë i gjërave dhe fillim nga e para”, tha Jovan Despotovski
Të ftuarit në emisionin debatues po ashtu thanë se çdo qeverie i nevojitet një opozitë e fortë, gjë që për momentin nuk është rasti në Maqedoni, të paktën në kampin politik maqedonas.