Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, merr pjesë sot në Tiranë në takimin ministror
kushtuar forcimit të konkurrueshmërisë dhe përafrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor me
Bashkimin Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së, me fokus të veçantë në iniciativën
për integrim të përshpejtuar në Tregun e Vetëm Evropian (Single Market Highway).
Në takimin, nikoqire e të cilit është ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina
Ibrahimaj, marrin pjesë ministrat e ekonomisë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe
Kerstin Jorna, drejtoreshë e përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme për Tregun e Brendshëm,
Industrinë, Sipërmarrjen dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (DG GROW) pranë Komisionit
Evropian.
Në fjalën e tij, ministri Durmishi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, transformimit
industrial dhe integrimit të kompanive vendase në zinxhirët evropianë të vlerës, si parakushte për
rritje të qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve më cilësore të punës.
“Ambicia jonë duhet të jetë që Ballkani Perëndimor të mos pozicionohet vetëm si një rajon që
ofron kosto konkurruese të prodhimit, por si një partner i besueshëm, inovativ dhe me kapacitete
teknologjike në rrjetet industriale dhe zinxhirët evropianë të furnizimit”, theksoi ministri
Durmishi.
Ministri nënvizoi se Maqedonia e Veriut synon të kalojë nga një model i rritjes ekonomike, i
bazuar kryesisht në kosto të ulëta të fuqisë punëtore dhe investime të huaja direkte, drejt një
ekonomie më produktive, inovative, të zhvilluar teknologjikisht dhe konkurruese.
Durmishi paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të fillojë procesi i hartimit të Strategjisë së
re Industriale, e cila do të harmonizohet me dokumentet dhe iniciativat më të fundit strategjike të
Bashkimit Evropian, përfshirë Kompasin e Konkurrueshmërisë dhe Marrëveshjen për Industri të
Pastër.
Ai theksoi se industria përpunuese ka një rol kyç në ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Në vitin
2024, ajo përbënte 14,4 për qind të bruto-produktit vendor, 19,6 për qind të punësimit dhe 84 për
qind të eksporteve të përgjithshme të vendit.
Si sektorë prioritarë për thellimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, ministri veçoi
industrinë automobilistike dhe elektromobilitetin, industrinë elektroteknike dhe mekanike,
teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, burimet e ripërtëritshme të energjisë, industrinë
ushqimore dhe prodhimin e avancuar.
“Integrimi evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por edhe një instrument i fuqishëm për
transformimin ekonomik. Integrimi gradual në Tregun e Vetëm Evropian, miratimi i standardeve

evropiane dhe qasja në programet evropiane mund të forcojnë konkurrueshmërinë dhe të krijojnë
mundësi të reja për kompanitë tona”, theksoi Durmishi.
Në kuadër të diskutimit, ministri theksoi gjithashtu nevojën për shfrytëzim më efikas të
instrumenteve financiare evropiane për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme,
modernizimin industrial, automatizimin, inovacionin, efikasitetin energjetik dhe dekarbonizimin.
Durmishi nënvizoi se iniciativa Single Market Highway duhet të shndërrohet në një mekanizëm
praktik për lidhjen e kompanive vendase me prodhuesit evropianë, tërheqjen e investimeve të
reja, transferimin e teknologjive dhe eliminimin e barrierave teknike për qasje në tregun
evropian.
“Konkurrueshmëria e secilës prej ekonomive të Ballkanit Perëndimor është gjithnjë e më e lidhur
me konkurrueshmërinë e rajonit në tërësi. Bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian nuk
duhet t’i shohim si procese të ndara, por si procese që plotësojnë dhe përforcojnë njëri-tjetrin”,
përfundoi ministri Durmishi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume