Deputeti dhe kryetari i Kuvendit të Lidhjes Shqiptare, Elmi Aziri, ka reaguar lidhur me punësimin e 80 personave në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, duke theksuar se në mesin e tyre nuk ka asnjë shqiptar.

Aziri e ka cilësuar këtë situatë si shqetësuese dhe si dëshmi të mungesës së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet publike.

Sipas tij, është e papranueshme që një institucion publik, i cili u shërben të gjithë qytetarëve pa dallim, të mos reflektojë përbërjen multietnike të qytetit të Kumanovës.

Ai thekson se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është privilegj apo favor politik, por parim kushtetues dhe detyrim institucional.

Në reagimin e tij, Aziri ka ngritur disa pyetje lidhur me procesin e punësimit, duke kërkuar sqarime se si është e mundur që nga 80 të punësuar të mos ketë asnjë shqiptar, cilat kanë qenë kriteret dhe procedurat e punësimit dhe nëse është respektuar parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Ai gjithashtu ka kërkuar transparencë dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar se qytetarët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje, por barazi, dinjitet dhe mundësi të barabarta.

“Institucionet publike nuk janë pronë e askujt. Ato janë institucione të të gjithë qytetarëve. Barazia nuk matet me deklarata politike, por me përfaqësimin real në institucione”, thekson Aziri.

Në fund, ai ka kërkuar veprim konkret për korrigjimin e kësaj gjendjeje, duke nënvizuar se heshtja përballë një situate të tillë nuk është zgjidhje.