E nderuara Presidente e Republikës së Maqedonisë së Veriut, prof. dr. Gordana Siljanovska-Davkova,
I nderuar kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kryetarë dhe përfaqësues të organeve gjyqësore dhe të Prokurorisë, Avokat i Popullit,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar ministra dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit ekzekutiv,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare në vend, kryetarë të partive politike, shef i Shtatmadhorisë së Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Të nderuar ish-Kryetarë të Kuvendit, ish-Kryeministra, si dhe deputetë nga përbërja e parë parlamentare,
I nderuar Avokat i Shtetit, Revizor i Shtetit,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të korit diplomatik,
Të nderuar drejtorë të Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Institutit të Historisë Nacionale,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore,
Të nderuar akademikë, studiues dhe pjesëmarrës të simpoziumit,
Të nderuar mysafirë,
Kam nder të veçantë që sot kam mundësinë t’ju pres dhe t’ju uroj mirëseardhjen në Dhomën e Qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të theksoj se për Kuvendin e Republikës, evenimenti i sotëm është privilegj dhe nder, sepse këtu, gjatë dy ditëve të ardhshme, do të shënohet 35-vjetori i shtetësisë sonë dhe miratimi i Kushtetutës së parë, ndërsa do të diskutohen edhe çështjet më themelore dhe të rëndësishme që lidhen me ndërtimin e shtetit tonë.
Përveç si qytetar dhe si Kryetar i Kuvendit, kjo temë më tërheq edhe si jurist. Sipas vlerësimit tim, ky eveniment dhe tema e tij janë mundësi e shkëlqyer për diskutim në nivel kaq të lartë dhe me profesionalizëm të tillë. Prandaj, jam veçanërisht i kënaqur që jemi nikoqirë dhe bashkorganizatorë të këtij evenimenti, për të shënuar këtë përvjetor, dhe dua t’i falënderoj veçanërisht studiuesit për vendosmërinë e tyre intelektuale për të shqyrtuar tema të tilla në këtë përbërje, në këtë institucion dhe me pjesëmarrjen e akademikëve më të shquar vendas dhe të huaj.
Kur tashmë jam këtu, më lejoni të theksoj se tema qendrore e simpoziumit që vijon shkon përtej shënimit të një date historike, siç është 35-vjetori i shtetësisë së vendit tonë. Kjo është thirrje jo vetëm për komunitetin akademik, por edhe për elitën politike, për përgjegjësinë që kemi për të kujtuar dhe evidentuar atë që ndodhi në të kaluarën, por edhe për të reflektuar mbi atë që kemi bërë deri më tani dhe për të përdorur këtë mundësi për një diskutim të përbashkët dhe të hapur rreth vlerave që e mbajnë shoqërinë tonë të bashkuar, si dhe për përgjegjësinë që kemi ndaj brezave të ardhshëm.
8 shtatori 1991 dhe 17 nëntori i të njëjtit vit janë dy ngjarje të pandashme në historinë moderne të shtetit, sepse në datën e parë u mbajt referendumi, ndërsa në të dytën u miratua Kushtetuta e Maqedonisë së pavarur, e cila shprehu më qartë vullnetin politik të qytetarëve dhe institucionalizimin e tij përmes rendit kushtetues. Me atë Kushtetutë, përveç shpalljes politike të shtetësisë, Maqedonia e përkufizoi edhe identitetin e saj shtetëror dhe zuri vendin e saj midis shteteve sovrane, të pavarura, demokratike dhe sociale, duke u bërë shtet juridik i bazuar në sundimin e së drejtës, liritë dhe të drejtat e njeriut, pluralizmin politik dhe përcaktimin euroatlantik. Dhe, kur i shqyrtojmë këto dy momente historike nga perspektiva e këtij 35-vjetori, gjithmonë kemi mundësinë të reflektojmë nëse dhe në çfarë mase janë realizuar aspiratat e brezit që e krijoi Maqedoninë e pavarur.
Kur tashmë jemi duke folur për temën e Kushtetutës, dua para jush të theksoj se në vitin 1991, nëpërmjet referendumit dhe Kushtetutës, në kohën kur ish-Jugosllavia po shpërbëhej përmes konflikteve ushtarake, Maqedonia arriti t’i hidhte në mënyrë paqësore themelet e një Maqedonie të pavarur. Dhe kur ishte e nevojshme të forcohej kohezioni ndëretnik dhe të ruhej paqja, si në vitin 2001, ajo gjeti edhe guximin dhe vendosmërinë për të plotësuar Kushtetutën, dhe këtë e bëri në vitin 2018, kur ishte e domosdoshme të bëhej kthesa e madhe drejt anëtarësimit në NATO. Në këtë drejtim, mendoj se ky guxim nuk duhet të mungojë as në të ardhmen. Elita politike dhe intelektuale duhet, pa kurrfarë inkurajimesh dhe presionesh të jashtme, të ketë guximin ta shqyrtojë këtë çështje si një sistem të hapur, i cili përparon, zhvillohet dhe përshtatet me ndryshimet shoqërore, me perspektivën evropiane dhe me forcimin e kohezionit shoqëror. Sigurisht, ky proces duhet të kuptohet si pjesë e zhvillimit dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të ndërtuar një shtet, në qendër të të cilit është qytetari dhe e drejta e tij për një shtet funksional.
Në këtë kontekst, Kuvendi ka përgjegjësi të veçantë. Si organ përfaqësues i qytetarëve dhe bartës i pushtetit ligjvënës, ky është vendi ku dallimet politike dhe shoqërore duhet të shprehen përmes debatit demokratik, kompromisit dhe vendimmarrjes institucionale. Parlamenti nuk duhet të jetë vetëm arenë për përplasje midis pushtetit dhe opozitës, por duhet të shndërrohet në hapësirë për dialog, përgjegjësi dhe ndërtim konsensusi mbi çështjet me rëndësi strategjike për vendin.
Të nderuar të pranishëm,
Tridhjetë e pesë vjet pas miratimit të Kushtetutës, sfida me të cilën përballemi është të kujdesemi dhe të ruajmë atë që është arritur, por në të njëjtën kohë të synojmë për avancimin e saj dhe të sigurohemi që parimet kushtetuese të jetësohen në praktikën e përditshme institucionale. Meqë sundimi i së drejtës nuk matet vetëm sipas numrit të ligjeve të miratuara, por edhe më shumë sipas zbatimit të tyre, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për një vend me aspirata të integrimit evropian. Njëherazi, si vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, e dimë mirë se integrimi nuk është vetëm çështje marrëdhëniesh me institucionet e Bashkimit Evropian, por mbi të gjitha proces i ndërtimit të institucioneve funksionale, forcimit të drejtësisë, mbrojtjes së lirive dhe garantimit të dinjitetit të qytetarëve. Prandaj, Kushtetuta duhet të jetë themel i stabilitetit, instrument për zhvillim dhe thesar në të cilin ruhen vlerat themelore të shtetit.
Duke u nisur nga kjo, ky përvjetor është moment kujtimi, por edhe më shumë moment vetëvlerësimi dhe vetevalvimi institucional. Duke pasur parasysh se jemi vend i karakterizuar nga forma të ndryshme të diversitetit, pritet që ne të vlerësojmë dhe rishqyrtojmë vazhdimisht marrëdhënien midis realitetit shtetëror dhe shoqëror, nga njëra anë, dhe rendit kushtetues dhe juridik të vendit, nga ana tjetër. Nuk duhet të ndalemi të shtrojmë pyetjen nëse kjo Kushtetutë dhe këto ligje kanë arritur të ndërtojnë një shtet koheziv, një shoqëri që ka besim në institucionet shtetërore dhe qytetarë që ndihen të përfaqësuar në mënyrë të barabartë në institucionet shtetërore? Edhe pse kemi shembuj të shumtë që tregojnë se këto përpjekje kanë qenë shumë të suksesshme, konsideroj se nuk duhet të na mungojë kurrë gatishmëria për përparim dhe përmirësim të mëtejshëm.
Duke u nisur nga kjo, thirrja ime është që ta shohim këtë 35-vjetor si një angazhim të ri për demokraci më të fortë, institucione më të përgjegjshme, besim më të madh në gjyqësor dhe bashkëjetesë më të qëndrueshme. Meqë shteti nuk është vetëm trashëgimi që e kemi marrë nga brezat para nesh, por edhe trashëgimi që ne ua lëmë brezave të ardhshëm.
Në fund, më lejoni t’ju uroj për 35-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së parë dhe t’ju falënderoj për praninë tuaj sot, ndërsa studiuesve që do të mbajnë fjalime në simpozium t’u uroj punë të suksesshme.
Ju faleminderit!