FSK e Ushtria e Shqipërisë realizojnë ushtrim të përbashkët në Bizë, bëhen qitje me mortaja të sistemit “VURAN”
Forca e Sigurisë së Kosovës ka realizuar qitje me municion luftarak nga mortaja 120 mm, e sistemit Vuran, në poligonin e qitjes në Bizë të Shqipërisë.
Sipas njoftimit të FSK-së, aktiviteti është zhvilluar në kuadër të procesit të avancimit të kapaciteteve operacionale të Mbështetjes Luftarake të Komandës së Forcave Tokësore (KFT).
Qitjet janë realizuar nga bateritë e Regjimentit të Mbështetjes Luftarake (RML), me ç’rast është vlerësuar zbatimi i procedurave të planifikimit dhe ekzekutimit të mbështetjes luftarake përmes zjarrit indirekt.
Aktivitetin e ka vizituar komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, i shoqëruar nga stafi i tij dhe atasheu ushtarak i FSK-së në Shqipëri. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë aktivitetit, sipas FSK-së, është dëshmuar profesionalizmi i pjesëtarëve të Regjimentit të Mbështetjes Luftarake në zbatimin e procedurave të sigurisë dhe përdorimin e mortajës 120 mm të sistemit Vuran.