Maqedonia po përgatit ndryshime të rëndësishme në mënyrën e pagesës së autostradave. Në të ardhmen, drejtuesit e automjeteve mund të paguajnë sipas kilometrave realisht të përshkuar, në vend të sistemit aktual me tarifa fikse në pikat e pagesës.

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ka bërë të ditur se po përgatiten ndryshime ligjore për modelin e ri, të cilat pritet të prezantohen gjatë muajit dhjetor.

Sipas paralajmërimeve, synimi është krijimi i një sistemi modern elektronik që do të mundësojë pagesë më efikase dhe më të drejtë, duke reduktuar ndalesat dhe kolonat në pikat e pagesës.

Një nga risitë kryesore është që tarifa të llogaritet sipas distancës së kaluar në autostradë. Kjo do të thotë se drejtuesit që përdorin segmente më të shkurtra do të paguajnë vetëm për kilometrat e përshkuar, duke e bërë sistemin më të drejtë për të gjithë përdoruesit.

Gjithashtu, po shqyrtohet edhe zbatimi i teknologjisë moderne për pagesë elektronike, e cila do t’u lejonte automjeteve të kalojnë pa u ndalur në rampa, ndërsa lëvizja e tyre do të regjistrohej automatikisht. Një zgjidhje e tillë pritet të zvogëlojë ndjeshëm pritjet dhe kolonat, sidomos gjatë sezonit veror dhe festave.

Megjithatë, autoritetet theksojnë se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për heqjen e plotë të rampave ekzistuese.

Në hartimin e modelit të ri do të përfshihen edhe ekspertë nga Komuniteti Evropian i Transportit, të cilët do të ndihmojnë në harmonizimin e sistemit me standardet evropiane.

Për momentin, sistemi aktual i pagesës mbetet në fuqi. Ende nuk janë përcaktuar tarifat sipas kilometrave dhe as data se kur mund të nisë zbatimi i modelit të ri, pasi për këtë nevojiten ndryshime ligjore, përgatitje teknike dhe ndërtimi i infrastrukturës përkatëse.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume