.Goditet banda shqiptare në Angli, drejtohej nga motër e vëlla, zbulohen shuma të mëdha parash dhe mallra luksi
Tre anëtarë të një grupi kriminal të organizuar shqiptar janë dënuar nga Gjykata e Kurorës në Swindon, pasi u kapën duke trafikuar kokainë në të gjithë qarkun Wiltshire.
Daniela Sopiku, 26 vjeçe, me banim të mëparshëm në Newport Street, në zonën Old Town, u dënua me nëntë muaj burg, pasi pranoi fajësinë për posedimin e dokumenteve të falsifikuara të identifikimit me qëllim të paligjshëm. Gjatë gjyqit, ajo pranoi gjithashtu akuzën për përvetësimin dhe përdorimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Vëllai i saj, Hysen Sopiku, 21 vjeç, gjithashtu me banim të mëparshëm në Newport Street, u dënua me tre vjet burg. Ai pranoi akuzat për përfshirje në furnizimin me drogë të kategorisë A, posedim të pasurive kriminale, dy raste të drejtimit të automjetit në kundërshtim me kushtet e lejes së drejtimit dhe pa siguracion, posedim të kokainës me qëllim shpërndarjen e saj, si dhe posedim të një objekti që përdoret për mashtrim.
Alvaro Vrapi, 18 vjeç, pa një adresë të përhershme, u dënua me 28 muaj burg, pasi pranoi fajësinë për posedimin e dokumenteve të falsifikuara të identifikimit me qëllim të paligjshëm dhe për përfshirje në furnizimin me drogë të kategorisë A.
Në muajin qershor, policia arrestoi Hysen Sopikun dhe Vrapin, pasi i gjeti brenda një automjeti Nissan Qashqai, teksa po kryenin transaksione droge. Sasi droge me vlerë totale mbi 11 mijë paund u gjetën gjithashtu në disa vende që ata kishin vizituar atë ditë, në Biddestone dhe Giddeahall, pranë Chippenham.
Më vonë po atë ditë, Daniela Sopiku u arrestua në zonën Old Town të Swindonit.
Kontrollet e mëtejshme zbuluan mjete dhe materiale që përdoreshin për aktivitetin e drogës, shuma të mëdha parash dhe sende luksoze të markave të njohura, si dhe dokumente të falsifikuara identifikimi, përfshirë një pasaportë italiane të rreme në emër të Danielës, e cila u konfirmua si e falsifikuar nga autoritetet e emigracionit.
U zbulua gjithashtu se Vrapi përdorte dokumente të falsifikuara për të hapur llogari bankare, të cilat shfrytëzoheshin për veprimtari kriminale.
Hetimet e mëtejshme financiare vërtetuan se tre personat kishin përfituar të ardhura të pajustifikuara në një vlerë totale prej më shumë se 53 mijë paundësh.
Të tre personat ndodheshin ilegalisht në vend dhe nuk kishin asnjë burim të ligjshëm të ardhurash.
Inspektori i Policisë, Jordan Gratton, deklaroi: “Jam i kënaqur që këta tre anëtarë të grupit të krimit të organizuar janë dënuar me burg për veprimtarinë e tyre kriminale.
Ata kanë qenë përgjegjës për shpërndarjen e kokainës në komunitete të ndryshme në Wiltshire dhe janë përpjekur të fshehin aktivitetin e tyre kriminal përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara të identitetit dhe fondeve të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Falë një hetimi të gjatë dhe proaktiv, gjatë të cilit u përdorën një sërë metodash të fshehta, efektivët arritën të siguronin prova bindëse për veprimtarinë kriminale të grupit dhe të ndërprisnin dëmin që ata po shkaktonin.”