Kur institucioni fetar, siç është BFI-a, bëhet strehë e militantizmit partiak, ndërsa heshtja përballë diskriminimit shtetëror shitet si tolerance, kemi të bëjmë me një përpjekje diabolike për deformim të vetë imazhit të fesë islame

Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog

A mund të rikthehet besimi publik me pjesëmarrje në ceremoni fetare, me përshëndetje protokollare, me prani në dua-hatme, vdekje e mevlude, kur mbi drejtuesin e institucionit rëndojnë akuza të shumta, polemika të vazhdueshme dhe dyshime që kërkojnë përgjigje? A mund të mbulohet një krizë besueshmërie me disa aforizma adoleshente të botuara, me fotografi nga takimet e ditës dhe me një kalendar të ngjeshur paraqitjesh publike? Dhe, mbi të gjitha, a mund të rifitojë dinjitetin një institucion fetar kur problemi nuk qëndron vetëm te imazhi i drejtuesit, por te mënyra se si ai erdhi në krye dhe te modeli i qeverisjes që u vendos më pas, pa asnjë faqe të programit, të planit zhvillimor, të projekteve kapitale?
Këto nuk janë pyetje për zbukurim te shkrimit. Janë pyetje që kërkojnë përgjigje, sepse Bashkësia Fetare Islame nuk është pronë private e askujt, as strehë e ndonjë partie politike, as zyrë punësimi për militantët që dinë të ndërrojnë petkun politik me atë fetar. Ajo është institucion me histori shumëshekullore, me autoritet shpirtëror dhe me përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj besimtarëve. Prandaj, çdo përpjekje për ta kthyer në instrument të interesave partiake nuk është thjesht një devijim administrativ. Është cenim i vetë arsyes për të cilën ekziston.

Kur politika hyn në faltore, besimi mbetet jashtë

Problemi i Shaqir Fetait nuk mund të reduktohet në pyetjen se sa mirë apo sa keq e menaxhon ai paraqitjen e vet publike. Çështja është shumë më e thellë: çfarë modeli drejtimi përfaqëson dhe çfarë pasoje ka ky model për pavarësinë e Bashkësisë Fetare Islame?
Sipas kritikave të ngritura për mënyrën e ardhjes së tij në krye të institucionit, mbështetja politike dhe ndërhyrja e strukturave partiake kanë luajtur rol vendimtar në këtë proces. Nëse ky pretendim qëndron, kemi të bëjmë me një precedent që nuk mund të trajtohet si ndërrim i zakonshëm drejtuesish. Kemi të bëjmë me futjen e logjikës partiake në një institucion që duhet të ruajë pavarësinë e vet nga pushteti politik.
Përse ka rëndësi kjo? Sepse mënyra si merret drejtimi përcakton, në një masë të madhe, edhe mënyrën si ushtrohet pushteti. Kur një drejtues i detyrohet ngritjen e tij mbështetjes politike, lind dyshimi i ligjshëm se edhe vendimmarrja e tij mund të ndikohet nga interesa jashtë institucionit. Kur ky dyshim ushqehet nga emërimet, lëvizjet kadrovike dhe përplasjet e brendshme, atëherë nuk kemi më një shqetësim për imazhin e individit, por një krizë të pavarësisë institucionale.
Këtu nis dëmi i vërtetë! Një institucion fetar që lejon të përcaktohet drejtimi i tij nga fuqia e partive rrezikon të shndërrohet në një strukturë ku bindja politike vlen më shumë se përgatitja teologjike, përkatësia partiake më shumë se përgjegjësia institucionale dhe besnikëria ndaj njerëzve të pushtetit më shumë se besnikëria ndaj misionit fetar.
Në këto rrethana, akuza se BFI-ja është shndërruar në një lloj entiteti punësimi për militantë të veshur me petkun e teologut nuk mund të hidhet poshtë me një reagim formal. Ajo kërkon përgjigje konkrete: si janë bërë emërimet, cilat kanë qenë kriteret, kush i ka propozuar kandidatët dhe a kanë pasur përparësi profesionalizmi, përgatitja fetare dhe integriteti personal, apo telefonatat partiake dhe të pushtetit?

Asnjë fotografi nuk e zëvendëson përgjegjësinë

Duket sikur një pjesë e strategjisë së rehabilitimit të imazhit mbështetet në shfaqjen e vazhdueshme publike të kreut të BFI-së. Gazetën, organin e BFI-së, e ka shnërruar në bilten dhe album personal, për faqe të zezë. Një ceremoni këtu, një vizitë atje, një dua, një hatme, një mevlud, një takim me njerëz, një fotografi me besimtarë. Pastaj, ndonjë aforizëm tinejxheri që synon të japë përshtypjen e urtësisë, maturisë dhe përkushtimit. “Zoti kështu të do”! Po bre po, jam i sigurtë që mua më do Zoti, por a të do ty me tërë atë peshë të skandaleve të denja për një analfabet funksional?!
Por çfarë provojnë këto paraqitje? Provojnë se një drejtues merr pjesë në veprimtari publike. Nuk provojnë se ai e ka rifituar besimin e humbur. Nuk provojnë se ka sqaruar akuzat që i janë adresuar. Nuk provojnë se institucioni drejtohet në mënyrë transparente. Dhe, aq më pak, nuk provojnë se është kapërcyer kriza e krijuar nga ndërhyrjet politike.
Përkushtimi fetar nuk është kostum që vishet sipas nevojës. As devotshmëria nuk matet me numrin e ceremonive ku shfaqet një drejtues. Ajo dëshmohet edhe me drejtësinë, ndershmërinë, përgjegjësinë dhe guximin për të mbrojtur të vërtetën, sidomos kur kjo e vërtetë mund të jetë e pakëndshme për pushtetin. Cili është raporti i Shaqir Fetait me të drejtën dhe drejtësinë? Faktet flasin se nga arka e BFI-së derdhen lum parash në favor të shtrembërimit të së drejtës islame.
Një drejtues fetar nuk e dëshmon integritetin duke u fotografuar pranë besimtarëve, por duke u përgjigjur para tyre. Nuk e dëshmon urtësinë me aforizma, por me vendime. Nuk e dëshmon pavarësinë duke folur për tolerancën, por duke mos u përkulur para atyre që e shkelin drejtësinë.
Publiku nuk ka nevojë për një imazh të përpunuar të drejtuesit. Ka nevojë për të vërtetën mbi drejtuesin dhe institucionin që ai përfaqëson.

Kur paratë zhduken, heshtja bëhet çështje publike

Një tjetër pikë që kërkon sqarim të plotë është çështja e raportuar e shumave të konsiderueshme të parave që dyshohet se kanë humbur në një myftini apo në një xhami nën administrimin e saj. Nëse bëhet fjalë për qindra apo mijëra euro, pyetja nuk është vetëm se ku kanë përfunduar paratë. Pyetja është se si mund të ndodhë një gjë e tillë, kush e ka pasur përgjegjësinë e administrimit dhe çfarë mekanizmash kontrolli kanë dështuar.
Paratë e një institucioni fetar nuk janë para pa zot. Ato nuk janë pronë e myftiut, e imamit, e ndonjë bashkëpunëtori apo e një grupi njerëzish që kanë krijuar marrëdhënie besimi brenda institucionit. Ato janë mjete që duhet të administrohen me përgjegjësi, sepse burimi i tyre është besimi dhe kontributi i njerëzve, është kafshata e gojës myslimane.
Prandaj, kur raportohet për mungesa të mëdha financiare, nuk mjafton të pritet që zhurma të shuhet vetvetiu. Duhet të sqarohet shuma e saktë, periudha kur ka ndodhur vjedhja, personat përgjegjës për administrimin dhe rezultatet e kontrollit financiar. Nëse ka dyshime të arsyeshme për vepra penale, çështja duhet t’u paraqitet organeve kompetente.
Dhe këtu shtrohet një pyetje edhe më e rëndë: nëse drejtuesit kanë pasur dijeni për grabitjen që përflitet ndër xhemat, çfarë kanë bërë për t’i zbardhur ato? Nëse nuk kanë pasur dijeni, si është e mundur që një institucion me struktura drejtuese dhe përgjegjësi të përcaktuara të mos e zbulojë në kohë një vjedhje të tillë?
Nuk është e drejtë të shpallet fajtor dikush pa prova. Por është po aq e papranueshme që dyshimet serioze të trajtohen sikur të ishin çështje private, të cilat mund të zgjidhen brenda një rrethi të ngushtë njerëzish.
Nëse përmendet si mundësi përfshirja e një bashkëpunëtori të afërt të kreut të institucionit, kjo duhet të hetohet, jo të shndërrohet në verdikt publik pa prova. Pikërisht për këtë shërbejnë kontrolli i pavarur, dokumentacioni financiar dhe organet e drejtësisë. Transparenca mbron institucionin, fshehja e fakteve mbron vetëm ata që mund të kenë arsye të frikësohen prej tyre.

Kur toleranca bëhet emër tjetër për nënshtrimin

Ndoshta pjesa më shqetësuese e kësaj krize lidhet me qëndrimin e drejtuesve të BFI-së përballë politikave diskriminuese të pushtetit ndaj trashëgimisë fetare dhe kulturore islame.
Çfarë kuptimi ka të flitet për tolerancë ndërfetare, bashkëjetesë dhe mirëkuptim, ndërsa përballë një diskriminimi konkret mungon zëri i fortë institucional? Çfarë vlere ka një marrëdhënie e mirë me pushtetin, nëse ajo blihet me heshtjen përballë padrejtësisë? Dhe çfarë fiton institucioni nga një imazh i mirë në sytë e politikanëve, nëse për këtë çmim duhet të heshtë përballë cenimit të të drejtave të besimtarëve?
Rasti i xhamisë më të vjetër në Ballkan, për të cilën ngrihet pretendimi se ka mbetur pa qasje rrugore dhe se për ndërhyrjet e nevojshme duhet të sigurohet blerja e rrugës, e bën këtë çështje veçanërisht të rëndë. Nëse faktet janë siç janë paraqitur, kemi të bëjmë me një situatë që kërkon reagim të menjëhershëm institucional dhe verifikim të plotë juridik.
Një objekt i trashëgimisë fetare e kulturore nuk mund të lihet në mëshirën e improvizimeve administrative, ndërsa përgjegjësia për qasjen dhe mbrojtjen e tij endet nga një zyrë në tjetrën. Nëse për të siguruar rrugën drejt objektit është dashur të paguhet një shumë që tejkalon 26 mijë euro nga një qytetar, atëherë duhet të sqarohen rrethanat e kësaj pagese, statusi juridik i rrugës, përgjegjësia e institucioneve publike dhe mënyra se si është marrë vendimi.
Pse duhet të mbajë barrën financiare një qytetar, nëse problemi është krijuar nga veprimet apo mosveprimet e institucioneve shtetërore? Pse nuk ngrihet zëri i BFI-së me të njëjtën forcë që përdoret për të ruajtur marrëdhëniet protokollare me pushtetin? Dhe nëse bëhet fjalë për një shkelje të të drejtave apo për diskriminim, pse nuk kërkohet zgjidhje përmes rrugëve ligjore dhe institucionale?
Këto pyetje nuk janë thirrje për konflikt me shtetin. Janë thirrje për të mos e ngatërruar bashkëjetesën me nënshtrimin. Toleranca nuk është heshtje përballë padrejtësisë. Bashkëjetesa nuk është pranim i diskriminimit. Dialogu nuk nënkupton që njëra palë të heqë dorë nga të drejtat e veta për të mos e shqetësuar tjetrën.
Një institucion fetar që hesht për të mos ia prishur imazhin pushtetit rrezikon të dëmtojë pikërisht atë që pretendon se mbron: dinjitetin e besimtarëve, pronën e institucionit dhe trashëgiminë e tyre.
E njëjta pyetje duhet shtruar edhe për rastin e Xhamisë së Prilepit? Çfarë ka bërë BFI-ja e Shaqir Fetait për ta rindërtuar atë? Çfarë kërkesash ka parashtruar? Cilat janë përgjigjet e institucioneve shtetërore?
Nuk mjafton të thuhet se institucioni është për tolerancë. Duhet të shihet nëse kjo tolerancë zbatohet me dinjitet dhe barazi apo përdoret si mbulesë për një paqe të rreme, në të cilën njëra palë hesht dhe pala tjetër vazhdon me politikat e veta. Kjo heshtje nuk mund ta mbulojë asnjë dokument të shërbimeve sekrete, apo, mbase tashmë e ka të qartë: nëse ka dalur një dokument, shteti mund t’i nxjerrë të gjitha, prandaj, më mirë “mos të kruhemi me shtetin”!

Një institucion nuk është karrige e askujt

Përplasjet rreth drejtimit të BFI-së kanë nxjerrë në pah edhe një problem tjetër: mënyrën se si trajtohen njerëzit që kanë ndërtuar autoritet institucional përmes punës shumëvjeçare. Kur një drejtues largohet përmes një procesi të kontestuar, ndërsa pasuesi përballet me akuza për mbështetje politike dhe me mosbesim të një pjese të bashkësisë, kriza nuk zgjidhet thjesht duke u shpallur fituesi i një beteje për postin, as duke u dekoruar nga organizata qesharake e të dyshimta.
Karrigia e drejtuesit nuk është pronë personale. As nuk është shpërblim për besnikëri politike. Është përgjegjësi që duhet të mbështetet në legjitimitet, procedura të rregullta dhe besim.
Nëse pretendohet se paraardhësi i Shaqir Fetait është larguar përmes një procesi të padrejtë, atëherë kjo çështje duhet të shqyrtohet mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe rregullave statutore. Kontributi shumëvjeçar i një drejtuesi nuk e bën atë të paprekshëm nga kritika, por as nuk lejon që puna e tij të fshihet nga historia për t’i hapur rrugë një pushteti të ri institucional.
Historia e BFI-së nuk mund të rishkruhet sipas nevojave të secilit drejtues. Ajo ndërtohet nga kontributet, gabimet, konfliktet dhe vendimet e shumë brezave. Prandaj, askush nuk ka të drejtë ta trajtojë institucionin sikur historia të fillonte me ardhjen e tij dhe të mbaronte me largimin e tij.
Nëse drejtimi aktual beson se ka legjitimitet të plotë, duhet ta dëshmojë me transparencë, me respekt për procedurat dhe me rezultate. Nëse beson se ka besimin e bashkësisë, duhet të jetë i gatshëm t’i nënshtrohet llogaridhënies. Nëse pretendon se përfaqëson një institucion të pavarur, duhet të tregojë se vendimet e tij nuk përcaktohen nga interesat e partive politike.
Përndryshe, çfarë vlere ka të mbash një post kur çdo ditë duhet të harxhosh energji për ta bindur publikun se e meriton atë? Imazhi mund të përmirësohet. Një njeri mund të ndryshojë qëndrim, të korrigjojë gabimet, të pranojë përgjegjësinë dhe ta fitojë sërish respektin e humbur. Por asnjëra prej këtyre nuk ndodh me automatizëm dhe asnjëra nuk mund të ndërtohet vetëm mbi paraqitjen publike.
Kur mbi një drejtues rëndojnë akuza, ai duhet të përgjigjet për to. Kur dyshohet për profilin e tij moral, duhet të lejojë verifikimin e pavarur. Kur ngrihen pretendime për ndërhyrje politike, duhet të dëshmojë pavarësinë e institucionit. Kur shfaqen raste të mundshme diskriminimi, duhet të flasë dhe të veprojë. Kur kontestohen procedurat e ardhjes në pushtet, duhet të dëshmojë se e ushtron detyrën në përputhje me rregullat dhe me interesin e përgjithshëm të bashkësisë. Këto nuk janë kërkesa të tepruara. Janë detyrime minimale për këdo që drejton një institucion me autoritet fetar, moral dhe historik.
Asnjëra prej këtyre çështjeve nuk mund të konsiderohet e zgjidhur vetëm sepse kalon koha. As nuk mund të pretendohet se çdo akuzë është e vërtetë pa prova. Por, po aq, nuk mund të kërkohet që publiku t’i harrojë të gjitha vetëm sepse drejtuesi shfaqet në ceremoni, boton mendime ose takohet me njerëz.
Kjo është arsyeja pse çështja nuk duhet të reduktohet në një betejë personale kundër Shaqir Fetait. Ajo ka të bëjë me standardin që duhet të vlejë për çdo drejtues të BFI-së. Nëse sot heshtet për shkak të përkatësisë politike, nesër mund të heshtet për shkak të interesave financiare, ndërsa pasnesër për shkak të një pazari me pushtetin. Në fund, institucioni mbetet pa zë dhe besimtarët pa përfaqësim të denjë. Dhe ky është dëmi më i madh: jo thjesht njollosja e emrit të një drejtuesi, por rreziku që të cenohet besimi i njerëzve te institucioni i tyre fetar.
Dhe, në fund, pyetja që mbetet nuk është se si mund të pastrohet imazhi i Shaqir Fetait. Pyetja është shumë më e rëndë: sa duhet të dëmtohet dinjiteti i një institucioni gjashtëqindvjeçar, që një drejtues të vazhdojë të mbrojë karrigen e vet? Kjo pyetje nuk kërkon aforizëm. Kërkon përgjigje.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume